
Këngëtarja Rita Ora, ambasadore nderi e Kosovës, ka folur kundër islamofobisë dhe refugjatët gjatë një fjalimi që ka mbajtur në “We Day UK” në stadiumin “Wembley” në Londër.
Duke folur për përvojën e saj si refugjate nga Kosova në Angli, Rita ka folur edhe për trajtimin e keq që i është bërë asaj dhe familjes Vera dhe Besnik Sahatçiu, e në këtë mënyrë e ka bërë lidhjen me trajtimin që i bëhet refugjatëve sirian, transmeton The Sun.
Duke folur për refugjatët sirian, Rita ka bërë edhe një lidhje religjioze, duke ngritur zërin ndaj isalmofobisë.
“Islamofobia është në rritje dhe disa njerëz janë duke bërë gjykime negative ndaj emigrantëve të rinj, dhe qytetarët britanik, bazuar në ngjyrën e lëkurës, veshjet dhe të gjitha të tjerat”, citohet të ketë thënë Rita, raporton Insajderi.
Ajo ka treguar sesi kur ka qenë refugjate është ndjerë e paragjykuar.
“Bota e refugjatit është e mbushur me plot paragjykime dhe jo të gjithë janë rehat me refugjatët e kjo nuk është në rregull”, ka thënë Rita.
Sipas saj, bota tashmë ka mundësinë që të tregojë se ka hequr dorë nga racizmi dhe paragjykimi ndaj të tjerëve.