
Edhe pse ishte paralajmëruar që Nisma për Kosovën do të dalë sot me një qëndrim zyrtar në lidhje me mënyrën e të protestuari në Kuvendin e Kosovës, kjo nuk pritet të ndodhë deri të hënën.
Kjo për shkak se kjo parti është duke tentuar që të bindë edhe partinë tjetër opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje, për ta braktisur seancat e Kuvendit të Kosovës.
Burime të Insajderit brenda Nismës për Kosovën thonë se ata janë duke insistuar në një vendim të tillë meqë sipas tyre Kuvendi i Kosovës ka humbur legjitimitetin.
Siç mëson Insajderi, tre liderët e partive opozitare – Visar Ymeri, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj – janë takuar sot për të diskutuar një gjë të tillë.
Insajderi ka provuar që të kontaktojë më Sekretarin e Nismës, Bilall Sherifi, por nuk ka mundur të marrë një përgjigje nga ai.
Në rast se edhe Lëvizja Vetëvendosje pranon që të braktisë seancat e kuvendit, pritet të marrë fund një periudhë prej rreth gjashtë muajsh e gazit lotsjellës në Kuvend.
Dje gjatë ditës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pranoi se kjo parti do të distancohet nga Kuvendi i Kosovës
Zëdhënësi I kësaj partie, Muharrem Nitaj, ka thënë se pas skenave në kuvend në ditën e zgjedhjes së presidentit më nuk ka vend për opozitën në atë Kuvend.
Në fakt, përfaqësues të AAK-së kanë folur në emër të të gjithë opozitës, por një vendim të tillë të përbashkët e ka mohuar Lëvizja Vetëvendosje./Insajderi.com