×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Rruga për në Bruksel kalon nga Uashingtoni

    Insajderi
    24 June 2020 - 16:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duket se ka hyrë në një fazë të re dinamike. Pas një pauze dhe bllokade të gjatë, janë intensifikuar nismat diplomatike që kanë për qëllim rigjallërimin e tij.

    Delegacioni i Republikës së Kosovës i përbërë nga Presidenti Hashim Thaci, dhe Kryeministri Avdullah Hoti si dhe delegacioni i Serbisë i përbërë nga Presidenti Aleksandar Vucic dhe Kryeministrja Ana Brnabic do të takohen me 27 qershor në Uashington, me ndërmjetësimin e Richard Grenell, i emëruar kohë me parë, nga presidenti Trump, si Përfaqësues Special Amerikan për dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, dhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein.

    Po ashtu, ndërkohë u bë e ditur se një takim tjetër do të zhvillohet ndërmjet autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, të ndërmjetësuar nga përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet dy vendeve, Mirosllav Lajcak. Ky takim në Bruksel mëton të rifillojë dialogun zyrtar ndërmjet dy vendeve, i cili ishte zhvilluar në Bruksel që nga viti 2010, por që ishte pezulluar më së paku për dy vite.

    Intensifikimi i agjendës së dialogut si dhe emërimi i kaq shumë emisarëve për këtë proces,  me motiv debllokimin e tij,  si dhe krijimi i dy qendrave paralele zyrtare për zhvillimin e negociatave, me të drejtë kanë shkaktuar shumë hamendje dhe huti në opinionin publik. Frika se mos Kosova do të gjendet në mes të presioneve, tensioneve dhe rivaliteteve trans-atlantike në këtë moment historik të konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë sonë, është bërë më reale se kurrë.

    Këto dyshime lidhen edhe dallimet transatlantike se cili duhet të jetë epilogu i këtij procesi negociator. Me këtë rast, në bazë të deklarimeve publike, shihet qartë se ShBA-të dhe BE-ja, kanë dallime serioze sa i përket qëllimeve finale të kësaj ndërmarrjeje.

    Siç dihet, ka kohë që Administrata aktuale amerikane e ka bërë të qartë që Marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet  dy vendeve duhet të rezultojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve. Sepse nuk mund të ketë normalizim të njëmendtë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa këtë epilog. Me rastin e këtij përfundimi tentohet të mbyllet një herë e përgjithmonë burimi i konfliktit historik dhe me përmasa tragjike ndërmjet dy popujve. Dhe në këtë mënyrë të garantohet paqja, siguria dhe stabiliteti afatgjatë në rajon.

    Mirëpo, siç e ka bërë të ditur këto ditë i dërguari i posaçëm i Uashingtonit, Richard Grenell, në këtë fazë dialogu më shumë do të jetë i fokusuar në çështje ekonomike.

    Po ashtu ai e ka përjashtuar në mënyrë kategorike se në tavolinën e bisedimeve do hapet e ashtuquajtura temë e famshme e këmbimit të territoreve. Dhe është kjo temë që kohët e fundit e ka elektrizuar deri në ekstrem skenën politike në vend.

    Amplifikimi i saj në diskursin politik për beteja të brendshme politike, akuzat, etiketimet, operimi me kategoritë e heroit dhe të tradhtarit, skema këto tipike për imagjinatën e shfrenuar konspirative, u shndërrua në pengesë kryesore për ndërtimin e një platforme unike negociatore përballë këtij procesi të domosdoshëm diplomatik. Veprime të tilla antagoniste, që nuk lidhen vetëm me këtë rast por edhe me tema tjera, siç ishte rasti i demarkacionit, thuajse se janë bërë praktikë konstante sjelljes politike në vend, veçanërisht që nga viti 2014. Këto qëndrime polarizuese kanë ndikuar që skena politike ne vend të jetë e pushtuar nga një përçarje e thellë e brendshme duke e përshkallëzuar situatën sociale dhe politike deri buzë kolapsit. Ky agravim ekstrem ndërmjet forcave kryesore politike në vend ka bërë që edhe ndërtimi i konsensusit të domosdoshëm politik të bëhet një mision i pamundur në këto rrethana. Ndërkaq, për dallim nga Kosova, Serbia hyn në këtë proces, siç e dëshmuan zgjedhjet e fundit, më një dominim dhe pushtet absolut nga e Aleksandër Vucicit.

    Sidoqoftë, si sfidë tjetër, krahas dallimeve transatlantike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian lidhur me projeksionin përfundimtar për këtë proces negociator, mbetet edhe vet mungesa e unitetit në kuadër të BE-së. Është gabim dhe iluzion të pohohet se ky entitet ka diferenca vetëm me SHBA-në, dhe konkretisht me administratën aktuale amerikane.  Problemi kryesor i kësaj strukture supranacionale është mungesa e unitetit të brendshëm. Ky deficit e ka bërë shpesh herë Brukselin joefikas, jodecisiv dhe e ka paralizuar aftësinë e tij për vendimmarrje kolektive. Një dobësi e tillë po e karakterizon Brukselin edhe tani kur nuk është në gjendje ta përcaktojë qartë objektivat kryesore lidhur me qëllimin final të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Retorika e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajcak, dëshmoi se misioni i tij është konceptuar në funksion të agjendës së procesit për hir të procesit dhe insistimit për rikthim të palëve në tavolinën e dialogut për shkak të dialogut, me premtime të vagullta për perspektiven evropiane të dy vendeve.

    Madje mungesa e një vizioni koherent të BE-së, është manifestuar edhe në raport me proceset tjera integruese për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. E si pasojë e kësaj përçarje, Bashkimi Evropian nuk arritur që si tërësi që nga viti 2008, kohë kjo kur Kosova e shpalli pavarësinë, ta ndërtojë një qëndrim unik përballë këtij realiteti. Sipas pasojë e kundërthënieve të tilla sot lirisht mund të thuhet se as që ekziston politika e jashtme evropiane.

    Në ndikimin  e kësaj qasjeje BE-ja sot është pushtuar nga një sens cinik edhe në raport me parimet, vlerat dhe të drejtën ndërkombëtare. Ndonëse në njërën anë ajo gjithë kohën e afirmon këtë retorikë dhe domosdoshmërinë e zbatimit të së drejtës ndërkombëtare, në anën tjetër është shndërruar vet në shembull të moszbatimit të saj si tërësi. Kështu, edhe përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte konkluduar se shpallja e pavarësisë se Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, përsëri Bashkimi Evropian nuk qe në gjendje ta ndërtonte një qëndrim unik, për t’i bindur pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën që të ndryshojnë qëndrim përballë këtij konstatimi juridik. Pra refuzimi i Brukselit për ta zbatuar në mënyrë rigoroze konstatimin e kësaj gjykate, ka ndikuar në mënyrë implicite  në cenimin e karakterit imperativ dhe universal të së drejtës ndërkombëtare  dhe shndërrimin e saj në kategori kalkulative dhe instrumentale si dhe duke preferuar përdorimin e kësaj të drejte sipas interesave dhe qëllimeve të partikulare të shteteve të veçanta.

    Është ky një episod në mesin e shumë të tillëve, që për shkak të mungesës së unitetit dhe një politike të qartë nga ana e Brukselit në raport më Kosovën të jetë reflektuar negativisht edhe në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që është zhvilluar në Bruksel që nga viti 2010, kur Asambleja Përgjithshme e OKB-së me anë të një rezolute të miratuar nga kjo instancë, e autorizonte Brukselin që të shndërrohej në lehtësues të këtyre bisedimeve. Të mos flasim këtu për dështime tjera sikur se janë mungesa e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

    Kjo ngathtësi e BE-së, ndikoi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin një rol më proaktiv në raport me këto zhvillime. Ky riaktivizim i diplomacisë amerikane u reflektua me emërimin e dy emisarëve specialë si Mathew Palmer si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor nga Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeu, si dhe Richard Grenellit, ambasadorit të SHBA-ve në Berlin atëbotë, nga Presidenti Trump, si i dërguar i tij special në lidhje me negociatat Kosovë – Serbi.

    Ndërkohë ndër lëvizjet më substanciale në këtë drejtim ishte formulimi i qartë, konciz dhe pa ekuvioke, nga ana Shteteve të Bashkuara të Amerikës i qëllimit përfundimtar të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas këtij projeksioni, njohja reciproke ndërmjet dy shteteve duhet të jetë thelbi i kësaj marrëveshjeje. Ky formulim eksplicit dallon në mënyrë rrënjësore nga formulimet e BE-së, që përpos një perspektive konfuze për integrim, për momentin nuk ofrojnë asnjë një vizion konkret se si duhet të duket marrëveshja përfundimtare ndërmjet dy vendeve.

    Madje, siç është bërë e qartë gjatë këtyre viteve, është i pamundur jetësimi agjendës integruese në kuadër të BE-së si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, pa sigurimin njohjes reciproke. Dhe kjo situate ka qenë edhe me fatale për Kosovën  për shkak të bllokadës që pesë vendet e Bashkimit Evropian i kanë bërë Kosovës, në mesin e të cilave edhe vendi nga vjen Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrel, (Spanja) si dhe vet i dërguari special i Brukselit, Miroslav Lajcak (Sllovakia). Pra mos përfundimi i këtij konflikti dëshmoi hapur ndër vite se sa e pa perspektivë është perspektiva evropiane. Sa të kota janë dokumentet strategjike për zgjerim, jo vetëm për dy vendet në fjalë por për tërë rajonin në përgjithësi, për aq kohë sa nuk zgjidhet ky problem. Këtë fakt e dëshmoi rasti njohur kur Komisioni Evropian para dy viteve e kishte publikuar me pompozitet strategjinë për  Ballkanin Perëndimor dhe afatet e mundshme të anëtarësimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian. Sot ato dokumente ndodhen në sirtarët burokratikë të institucioneve qendrore të Brukselit, pa ndonjë peshë reale për proceset konkrete.

    Ky stagnim dhe vazhdimi gjendjes së status-quos, dëshmon se vetëm arritja e një marrëveshjeje sipas skenarit dhe projeksioneve amerikane do të elimonte pengesat përballë këtij procesi. Sepse me anë të saj Kosovës do t’i hapej rruga për t’u anëtarësuar në OKB. Dhe në këtë mënyrë do të tejkaloheshin edhe pengesat e tanishme për integrimin e saj në kuadër të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe mekanizmave tjerë të politikës dhe sigurisë ndërkombëtare. Paradoksalisht, sot rruga e Kosovës drejt Brukselit kalon nëpërmjet Uashingtonit. Prandaj është me rëndësi që këtë trajektore ta kuptojë edhe Brukseli, nëse mirëfilli dëshiron ta integrojë këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor në një të ardhme të shpejtë në kuadër të Bashkimit Evropian.

    Përfundimisht, përvetësimi i parimit qendror të artikuluar nga SHBA-të, sipas të cilit përfundimi i këtij procesi negociator duhet të rezultojë me njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve, do të mund të shërbente edhe si kornize për ndërtimin e një konsensusi të dyfishtë, si vendor ashtu edhe transatlantik, në këtë fazë të dialogut ndërmjet autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit. Kurse ky unitetet do të mund të ishte vendimtar në zgjidhjen finale të konfliktit historik ndërmjet dy popujve. Çdo shmangie nga ky kurs vetëm sa do ta prolongonte paqartësinë, do ta shtonte pasigurinë, dhe vakuumin gjeopolitik në rajon. Po ashtu do ta shndërronte rajonin e Ballkanit Perëndimor në një mjedis atraktiv dhe lehtë të depërtueshëm për forcat e kaosit, të cilat sot e kësaj dite vazhdojnë të mbesin armiqësore ndaj rendit demokratik, vlerave liberale dhe proceseve integruese të përfaqësuara si nga SHBA-të ashtu edhe nga Bashkimi Evropian.

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark