×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Roli i remitencave në PBB si pasojë e COVID-19

    Insajderi
    03 July 2020 - 12:12

    Vendimet e vendeve anëtare të BE-së që kanë paralajmëruar dhe rekomanduar shtetasit e saj që të mos udhëtojnë në shtetet e Ballkanit Perëndimor si pasojë e COVID-19, në masë të madhe prekin edhe diasporën tonë, të cilët kanë planifikuar të vijnë në Kosovë gjatë këtij viti, e kjo sigurisht se do të këtë efekt edhe në ekonomi.

    Si një ndër indikatorët kryesor të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), remitencat kanë luajtur rol të rëndësishëm në ekonominë e shtetit të Kosovës. Për vite me radhë remitencat kanë qenë ndër kontribuesit kryesor me pjesëmarrje të lartë në PBB, nga të hyrat nga jashtë. Aktualisht përqindja e pjesëmarrjes në PBB sillet rreth 11%-12%.

    Por, si pritet të jetë roli i tyre në ekonominë e Kosovës si rezultat i pandemisë Covid-19, që ka kapluar botën?

    Ekonomitë e shteteve kryesore si Gjermania, Zvicra, Italia dhe të tjerat nga ka qenë burimi i të ardhurave të remitencave, janë prekur nga pandemia COVID-19, e sigurisht që do të ketë efektin e vet të menjëhershëm dhe të mëvonshëm në ekonominë e shtetit tonë. Në analizën e mëposhtme, bazuar në të dhënat e viteve 2016-2019 të BQK-së dhe ASK-së, janë kalkuluar remitencat dhe pjesëmarrja e tyre në shumën dhe përqindjen e PBB.

    Po ashtu, është kalkuluar se humbjet e mundshme nga remitencat në PBB si rezultat i pasojave ekonomike të shkaktuara nga COVID-19, do të jenë të larta dhe rikuperimi i tyre do të marrë vite. Bazuar në krizën ekonomike të vitit 2008, ku u deshën 4 vite që të arrihet niveli i njëjtë i të ardhurave nga remitencat. Pas të dhënave të analizuara kemi bërë një kalkulim rreth parashikimit të humbjeve të mundshme, më optimiste, për vitin 2020 e që pritet të jenë rreth 315,086,301.37 euro.

    Trajtimi me seriozitet dhe profesionalizëm i kësaj çështje është mëse i nevojshëm, në mënyrë që të evitohen me kohë pasojat. Marrja e masave të duhura në kohë optimale do t’i evitojë dëmet ekonomike që mund të përfshijnë ekonominë e vendit edhe ashtu të varfër të Kosovës.

    Qeveria duhet të përdor politika stimuluese qoftë në lehtësira të transferit të parave nga jashtë dhe krijimin e kushteve për ofrimin e testit COVID-19, për ata që vijnë në Kosovë, apo inkurajimin e diasporës qe remitencat e tyre t’i dërgojnë direkt tek familjet e veta, pasi që ata do të ishin shpërndarësit më të mirë në ekonominë e vendit, duke e rritur konsumin në nivel proporcional.

    Situata e krijuar si pasojë COVID-19, do të këtë efekt edhe tek remitencat në Kosovë dhe do ta rrisë edhe më tutje hendekun në PBB. Të dhënat janë paraqitur edhe grafikisht.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark