
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ia ka huqur sërish me njoftimin për media. Kësaj radhe për një takim që kryeministri, Albin Kurti kishte me deputetin opozitar britanik, David Lammy, i cili shërben si sekretar i shtetit në hije për Çështjet e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit.
Ndonëse deputet i opozitës, Qeveria Kurti i dha epitet tjetër, shkruan Insajderi.
Në njoftimin në gjuhën angleze, Zyra e Kryeministrit Lammyt ia ‘dha’ postin e ministrit të Jashtëm. Atij iu referua si “Sekretar i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit”, post ky që mbahet nga James Cleverly i Partisë Konservatore.
Për këtë lapsus ka shkruar prestigjiozja britanike “The Independent“.
“Zyra e Kryeministrit në Prishtinë ka njoftuar takimit me zotëri Lammy sikurse “Kryeministrit Kurti ka pritur Sekretarin i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit, David Lammy”, ka shkruar gazeta krejt në fund të artikullit për gabimin e ZKM-së.
Lammy, pas takimit të zhvilluar edhe me presidenten Vjosa Osmani, përveç kryeministrit Kurti, si dhe anëtarë të komunitetit serb, ka thënë për The Independent se “situata është shumë shqetësuese, por mendoj se të dyja palët janë të hapura për dialog dhe të vendosura për të siguruar që të mos i kthehen gjakderdhjes. Natyrisht, ne duhet të sigurohemi që kjo të ndodhë dhe dialogu mes dy palëve të vazhdojë”.
Lammy ka theksuar se nuk do të ndodhte një neglizhencë ndaj një situate të tillë nën një qeveri laburiste të Keir Starmer.
“Unë jam shumë i vetëdijshëm për rolin që luajti Britania e Madhe, Tony Blair, në sigurimin e lirisë së Kosovës. Është një trashëgimi e politikës së jashtme të laburistëve, së bashku me marrëveshjen e paqes të Irlandës së Veriut, për të cilën ne mund të jemi jashtëzakonisht krenarë”, tha ai.
Zyra e kryeministrit ende nuk e ka përmirësuar gabimin në faqen zyrtare.