Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri pritet të mblidhet sërish ditën e nesërme për të shqyrtuar masat për parandalimin e pandemisë Covid-19.
Komiteti u mblodh vetëm dy ditë më parë, ku dhe vendosi që të mbeten në fuqi masat që ishin aktuale, pra që nga ora 20:00 të mos ketë lëvizje, si dhe të mbyllen baret dhe restorantet.
Vendimi i tyre nuk u prit mirë nga shumë ekspertë, politikanë, pasi ditët e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të rasteve me Covid-19. Por ishin dhe vetë anëtarë të Komunitetit që një ditë pas mbledhjes thanë se situata nga pandemia, në vendin tonë është kritike dhe se ditën e hënë do të vendosen masa të tjera kufizuese.
Nuk dihet se çfarë masash do të vendosen ditën e nesërme ndërkohë që gjatë 24 orëve në vendin tonë u regjistruan 952 raste të reja dhe 21 viktima. Që prej fillimit të pandemisë deri më tani në Shqipëri janë infektuar 107,167 persona ndërkohë që kanë humbur jetën 1,796 të tjerë.