Rrjeti social TikTok e gjen veten përsëri në pozitë shumë të pasigurt, pasi ligjvënësit në Uashington po e shtyjnë përpara një projektligj, i cili mund të bëjë që kjo platformë të ndalohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të mërkurën, Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi projektligjin, i cili do ta ndalojë TikTok-un, nëse pronari i tij me bazë në Kinë, ByteDance, nuk i shet aksionet e tij në platformën e njohur brenda gjashtë muajve pas miratimit të këtij projektligji.
Ja çfarë duhet të dini:
Projektligji ia jep dy mundësi kompanisë ByteDance: Ta shesë TikTok-un, ose të përballet me ndalesë.
Nëse ByteDance zgjedh të heqë dorë nga aksionet, TikTok-u do ta vazhdojë veprimtarinë në SHBA, nëse presidenti përcakton “përmes një procesi mes agjencive” se platforma “nuk po kontrollohet më nga një kundërshtar i huaj”.
Projektligji do të kërkonte nga ByteDance gjithashtu të heqë dorë nga kontrollimi i algoritmit të njohur të TikTok-ut, i cili i ushqen përdoruesit me përmbajtje bazuar në parapëlqimet e tyre.
Ekspertët kanë thënë se do të jetë sfidë për ByteDance ta shesë TikTok-un brenda pak muajve.
Nëse kompania vendos të mos e shesë atë, atëherë TikTok-u do të jetë i ndaluar në dyqane të aplikacioneve që i ofrojnë Apple dhe Google.
Ligjvënësit nga të dyja partitë – si dhe zyrtarët ligjorë dhe të inteligjencës – ka kohë që shprehin shqetësime se autoritetet kineze mund ta detyrojnë ByteDance-in t’ia dorëzojë të dhënat e më shumë se 170 milionë amerikanëve që e përdorin TikTok-un.
Shqetësimi i tyre buron nga një sërë ligjesh kineze të sigurisë kombëtare, të cilat i detyrojnë organizatat ta ndihmojnë vendin të grumbullimin e të dhënave të inteligjencës, ByteDance mund t’i nënshtrohet këtij ligji.
TikTok-u i ka hedhur poshtë pretendimet se mund të përdoret si mjet i Qeverisë kineze. Kjo kompani ka thënë se kurrë nuk i ka ndarë me autoritetet kineze të dhënat e përdoruesve amerikanë dhe se nuk do ta bëjë këtë edhe nëse i kërkohet.
Deri tani, Qeveria amerikane nuk ka dhënë dëshmi se TikTok-u ka ndarë të dhënat të tilla me autoritetet kineze.
Shqetësimet nuk janë vetëm për sigurinë. Zyra e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare paralajmëroi të hënën në një raport se Qeveria kineze e ka përdorur TikTok-un për të ndikuar në zgjedhjet amerikane.
“Cak i llogarive të udhëhequra nga krahu propagandues i Kinës në TikTok ishin edhe kandidatët nga të dyja partitë politike në zgjedhjet afatmesme në SHBA më 2022”, thuhet në raport.
Jo. Senati duhet ta miratojë këtë projektligj gjithashtu, në mënyrë që ai të bëhet ligj. Por, është e paqartë se çfarë do të ndodhë në Senat, ku disa projektligje që kanë për qëllim ndalimin e TikTok-ut, kanë ngecur.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se ai do ta nënshkruajë projektligjin, nëse ligjvënësit e miratojnë. Nëse ndodh kjo, ByteDance do t’i ketë 180 ditë për ta shitur TikTok-un te një blerës i kualifikuar.
Ky propozim mund të sfidohet në gjykata nga TikTok-u, i cili ka ngritur padi kundër tentimeve për ta ndaluar këtë platformë në nivel kombëtar dhe shtetëror.
Më 2020, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, u përpoq ta ndalojë platformën e rrjetit social përmes një urdhri ekzekutiv. Ai urdhër u shfuqizua më vonë nga gjykatat, pas padisë nga TikTok-u.
Administrata Trump e ndërmjetësoi gjithashtu një marrëveshje më 2020, sipas të cilës korporatat amerikane, Oracle dhe Walmart, do të siguronin aksione të mëdha në TikTok mbi baza të sigurisë kombëtare.
Por, shitja e atyre aksioneve nuk ndodhi asnjëherë për një numër arsyesh, ndër to Kina, e cila vendosi kontrolle më të rrepta të eksportit për ofruesit e vet të teknologjisë.
Nëse ky projektligj bëhet ligj, do të jetë lajm i keq për bizneset e vogla, të cilat varen nga kjo platformë për marketing, apo të cilat shesin produktet e tyre në dyqanin e TikTok-ut – degën e-commerce të saj.
Ligji do të kishte ndikim edhe në jetën e influencerëve të rrjeteve sociale, të cilët shpenzojnë vite të tëra për të tërhequr ndjekës në këtë platformë dhe varen nga të hyrat prej kësaj platforme.
TikTok-u ua dërgoi një njoftim disa përdoruesve javën e kaluar duke u bërë thirrje t’i njoftojnë përfaqësuesit e tyre për masën, e cila u karakterizua si “Mbyllja e TikTok-ut”.
Kompania u tha përdoruesve se Kongresi po planifikon “ndalesë të plotë” ndaj platformës, e cila mund “t’i dëmtojë miliona biznese, ta shkatërrojë jetesën e krijuesve të shumtë në vend dhe t’ua mohojë artistëve një audiencë”.
Të enjten, shumë përdorues u përgjigjen duke i vërshuar me thirrje telefonike zyrat e Kongresit, duke i detyruar disa prej tyre t’i fikin telefonat.
Ekspertët thonë se përdoruesit ka mundësi të gjejnë mënyra për ta shmangur ndalesën.
Përdoruesit e aplikacionit mund të provojnë rrjete private virtuale, apo VPN, për ta fshehur lokacionin për t’i shmangur kufizimet e tilla, tha Roger Entner, analist dhe themelues i Recon Analytics.
Do të ishte sfiduese për Qeverinë luftimi i sjelljeve të tilla, sepse ka shumë shërbimeve të VPN-së, të cilat nuk kanë nevojë t’u përmbahen ligjeve amerikane, tha Entner./Associated Press/