A do të bëhen SHBA dhe Rusia aleatë? - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    A do të bëhen SHBA dhe Rusia aleatë?

    Insajderi
    01 March 2025 - 12:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan Dardan Sejdiu:

    A do të bëhen SHBA dhe Rusia aleatë?

    Një ide e pamundur apo një lëvizje strategjike?

    Mund të duket e pabesueshme, por tash në politikën globale gjithçka është e mundur. A po afrohet Amerika me Rusinë për ta dobësuar Kinën?

    Pse SHBA mund të afrohet me Rusinë?

    Kina është rivali kryesor i SHBA-së sot. Fuqia e saj ekonomike, teknologjike dhe ushtarake po sfidon dominimin amerikan. Për të mos u përballur me dy kundërshtarë njëkohësisht (Kinën dhe Rusinë), SHBA-ja mund të tentojë të ndjekë një strategji të re: ta shkëpusë Moskën nga Pekini, njësoj siç bëri dikur me Kinën për të dobësuar Bashkimin Sovjetik.

    Cilat janë arsyet kryesore?

    Kërcënimi nga Kina: Aleanca e ngushtë Kinë-Rusi shihet si një sfidë e madhe për SHBA-në. Nëse Moska afrohet me Uashingtonin, Kina mbetet më e izoluar.

    Shmangia e dy fronteve: Amerika po përballet njëkohësisht me tensione në Ukrainë dhe me Kinën në Paqësor. Një paqe me Rusinë do t’i lejonte të fokusohej plotësisht te sfida me Kinën.

    Interesat e Rusisë: Moska e di se nëse vazhdon të mbështetet tek Kina, rrezikon të bëhet “vëllai i vogël” i saj. Një afrim me SHBA-në mund t’i sjellë më shumë peshë në arenën ndërkombëtare dhe lehtësime e benefite ekonomike.

    Si do të ndryshonte bota?

    Një aleancë SHBA-Rusi do të trondiste balancat globale. Dhe, në vend të ndarjes Perëndim vs Lindje, mund të kemi një bosht SHBA-Rusi kundër Kinës. Evropa do të përshtatet, ska rrugë alternative. Disa vende europiane do të shqetësohen fillimisht (si Polonia dhe shtetet baltike), por në fund do të ndjekin strategjinë e re amerikane.

    Lufta në Ukrainë mund të përfundojë shpejtë dhe brutalisht edhe sepse Rusia do afrimin me SHBA-në. Në këtë drejtim Rusia është e gatshme për një paqe në Ukrainë, ndonëse me kosto të larta për Kievin.

    Çka mund të shohim si zhvillime karshi Kosovës?

    Kosova ka qenë gjithmonë e mbështetur nga SHBA, ndërsa Rusia ka qenë aleati kryesor i Serbisë.

    Nëse SHBA-ja dhe Rusia afrohen atëherë operohet me dy skenare të mundshme.

    Skenari pozitiv: Moska mund të ndryshojë qëndrimin dhe të pranojë një kompromis për Kosovën, duke i hapur rrugën njohjes ndërkombëtare.

    Skenari shqetësues: SHBA-ja mund të bëjë lëshime për interesat e saj globale dhe të ushtrojë presion mbi Kosovën për të bërë koncesione ndaj Serbisë.

    Nëse Ballkani nuk është më prioritet për SHBA-në, vende si BE dhe Turqia do të rrisin ndikimin e tyre në rajon.

    Si duhet të veprojë Kosova?

    Në një botë ku aleancat mund të ndryshojnë, Kosova duhet të jetë e përgatitur. Kjo nënkupton themelim të shpejtë të institucioneve dhe një qeveri stabile që angazhimin kryesor e ka forcimin e shtetit dhe ekonomisë për të qenë më e qëndrueshme ndaj ndryshimeve globale.

    Kjo qeveri, sě bashku me krejt partitë dhe akterët tjerë të ndërtojë një strategji të qartë për vendin që reflekton dhe i përshtatet çdo skenari të mundshëm.

    Historia ka treguar se kombet që përshtaten shpejt, mbijetojnë dhe përparojnë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark