Kurti “do të mendohet” nëse do të garojë për kreun e LVV-së Lëvizja Vetëvendosje është duke kaluar nëpër proces të brendshëm zgjedhor.
Pas një muaji pritet që të hapet gara edhe për kreun e partisë dhe për kryetarët e qendrave dhe strukturave të tjera drejtuese. Kryetari aktual i Lëvizjes, Albin Kurti, nuk e ka ndarë ende mendjen nëse do të kandidojë sërish për kryetar por tha se këtë do ta bëjë të ditur brenda afateve të përcaktuara.
Kurti i bëri thirrje rreth 60 mijë anëtarëve, sa u tha se ka Lëvizja, që të bëhen pjesë e zgjedhjeve të brendshme pasi është një proces shumë i rëndësishëm i cili do të vijë vetëm pas katër vitesh.
Kurti: Pas 4 javësh do të them nëse kandidojë për kryetar të LVV Video “Kushdo që dëshiron, që synon, të bëhet kryetar i LVV-së, i qendrës së caktuar të LVV, i Gruas për Vetëvendosje dhe i Rinisë për Vetëvendosje ose Gruas e i Rinisë në një komunë të caktuar i kemi katër javë që të mendojmë secili prej neve që jemi anëtarë dhe me datën 15 gusht na hapet mundësia deri me 23 gusht dhe zgjedhjet më pastaj do të mbahen me datën 25 shtator. Besoj që është një proces fort demokratik e transparent edhe po i ftojmë që të gjithë që janë të interesuar edhe sigurisht edhe unë individualisht do ta them fjalën time pas 4 javësh atëherë kur do të hapet mundësia”, tha Kurti.
Ndërkohë që vijon procesi zgjedhor në pikate LVV nëpër komuna, Kurti tha se do të paraqesë për votim në Këshillin e Përgjithshëm edhe një rregullore të re për mërgatën e cila do të sigurojë më shumë fleksibitet në organizim dhe objektiva për qendrat e Lëvizjes në mërgatë.
Kreu i Lëvizjes nxitoi të thoshte se nuk do të ketë shpejtë zgjedhje lokale e nacionale në vend por u shpreh se subjekti që drejton duhet të jetë i përgatitur për kohën kur janë paraparë të mbahen.
“Nuk do të ketë as zgjedhje lokale, as zgjedhje nacionale në Republikën e Kosovës pas këtyre zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje që janë të fundit para zgjedhjeve të ardhshme. Këto po mbahen në vitin 2022 dhe zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e ardhshme nacionale do të jenë në vitet në vijim por zgjedhjet e brendshme në LVV nuk do të ketë deri në vitin 2026. Andaj ju bëj ftesë, ju bëj thirrje të gjithë anëtarësisë së LVV që të jemi aktivë me pjesëmarrje, në procesin e brendshëm zgjedhor meqenëse here dokurdo që do të mbahen zgjedhjet e ardhshme nacionale dhe ato lokale e kalendari thotë që ky është viti 2025, deri atëherë nuk do të jemi zgjedhje të brendshme në LVV”, tha Kurti.
Sekretarja organizative e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Haxhimehmedi, tha se përpos që janë subjekti më i votuar janë edhe organizata politike me anëtarësinë më të madhe. Haxhimehmedi: “Nga data 15 mars kur i kemi shpallur zgjedhjet e brendshme, Lëvizjes sonë i janë shtuar 2246 anëtarë të rinj, prej tyre 574 gra dhe vajza ndërkaq 1672 burra dhe djem kurse numri i përgjithshëm i anëtarëve në LVV ka shkuar në 59 291. Prej tyre 14, 641 janë gra dhe vajza të cilat do ta kenë organizatën e tyre brenda LVV. Jemi organizata politike më e madhe në vend për nga numri i votave dhe organizata më e madhe për nga numri i anëtarësisë, njëjtë synojmë ta kemi edhe strukturën e organizatës, për të thënë shifra: LVV ka anëtarësinë të shtrirë në 1117 fshatra dhe lagje të qyteteve”, tha ajo.
Koordinatori për qendra në Lëvizjen Vetëvendosje, Valon Hoti, japi detaje për kalendarin e procesit zgjedhor në këtë subjekt.
Me datë 15 gusht do të shpallen zgjedhjet për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetar të organizatës së Gruas për Vetëvendosje dhe kryetar të Rinisë për Vetëvendosje. Në të njëjtën datë do të shpallen zgjedhjet për kryetarë të qendrave, kryetare të organizatës së Gruas për Vetëvendosje dhe kryetar të Rinisë për Vetëvendosje në qendra. Ky afat do të qëndrojë i hapur deri më 23 gusht ku secili anëtar i LVV ka të drejtë të kandidojë për secilin prej posteve.
“Nga data 1 shtator zyrtarisht do të fillojë fushata për kandidatët për kryetarë të Lëvizjes Vetëvendosje, për të vazhduar më tej me hapjen e fushatës për kryetarë të qendrave dhe pozicionet e tjera drejtuese në organizatë me datë 10 shtator. Data 23 shtator do të jetë data kur ne mbyllim fushatën zgjedhore për të gjithë kandidatët në të dy nivelet organizative dhe data 25 shtator dita kur e gjithë anëtarësia e LVV voton për kryetarin e ri të LVV dhe për të gjitha pozicionet drejtuese në organizatë të cilat i përmenda më parë. Data 27 shtator do të jetë dita kur ne i shpallim fituesit e zgjedhjeve në garën zgjedhore tonë të brendshme”, tha Hoti.
Pas konstituimit të strukturave të reja drejtuese, në tetor pritet të kuptohen edhe emrat e rinj të kryesisë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje.