Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MASHTI), ka thënë se është duke e trajtuar me kujdes kërkesën për ndryshimin e një neni në udhëzimin administrativ, i cili ua ndalon vajzave me mbulesë të vijojnë procesin mësimor.
“Si ministri këtë çështje jemi duke e trajtuar me kujdes dhe sapo të kemi një vendim të ri do të ju njoftojmë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e ka obligim që të sigurohet që çdo fëmijë të jetë në shkollë”, ka thënë ministria e Arsimit, shkruan Gazeta Insajderi.
Kjo deklaratë është lëshuar pas kampanjës “Ndryshojeni Udhëzimin Administrativ për shaminë”, i cili vërshoi internetin këto ditë.
Durim Berisha dhe Liridon Kurti po kërkojnë të ndryshohet Neni 3, paragrafi 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 i cili ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla që ishte hartuar në vitin 2014 nga ministria e Arsimit.
Para disa ditësh ata i kanë dërguar shkresë ministres së MASHTI-t, Arbërie Nagavcit, për t’i kërkuar ndryshimin e nenit 3, pasi sipas tyre, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Ndryshe, vetëm pak muaj më parë zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, kishte thënë se” ministria nuk e ka në plan që rishikojë udhëzimin administrativ i cili ndër të tjera e ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla.
“Ne nuk dëshirojmë të dërgojmë tani mesazhe të gabuara në opinion në atë formën që shkolla jonë nuk është laike, sepse shkolla e Kosovës, shkolla publike në Kosovë është shkollë laike dhe kjo duhet të respektohet ndërkaq duhet të respektohen të drejtat e të gjithë fëmijëve që të vijojnë shkollimin dhe po veprohet në atë drejtim. Ka raste ndonjëherë të shkarjeve te them ashtu kur ndodhin situata të cilat janë të padëshiruara për ne, por mendoj që me një reagim të shpejtë ato zgjidhen përndryshe nuk kemi ndonjë plan që tani për tani ta rishikojmë atë udhëzim”, ka thënë zëvendësministri i Arsimit në prill, transmeton Gazeta Insajderi.
Por, pak vjet më parë, krejt ndryshe kishte folur për këtë çështje Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes që atë kohë synonte pushtetin.
Në kulmin e fushatës zgjedhore, në qershor të 2017-ës, tash kryeministri që atë kohë e lypte pushtetin, ishte shprehur qartazi kundër ndalimit të arsimimit të vajzave me shami.
“Prej vitit 2011 ne e kemi pasur të qartë qëndrimin tonë që ne jemi kundër ndalimit të mbajtjes së mbulesës”, kishte thënë Kurti, transmeton Gazeta Insajderi.
“Ka pasur tendenca për ta ndaluar atë, ne jemi kundër ndalimit – pra ne nuk do ta pengojmë, një vajzë që shkollohet, a një vajzë që jep mësim në sistemin arsimor – për shkak se në njërën anë është e drejta e arsimit, dhe një njërën anë tjetër është bindja jonë se çka ken ë kohë, e jo mbi kokë”, vazhdonte fjalimin Kurti, derisa në krah të djathtë e kishte Eman Rrahmanin, deputetin që kërkon lejimin e mbajtjes së shamive në shkolla.
Por, prej kohës kur Kurti është bërë kryeministër, ai nuk ka thënë asgjë se cili do të jetë vendim i qeverisë së tij në lidhje me bartjen ose jo të shamisë në shkolla, deri sot kur ka folur pak mbi këtë çështje.
“Qëndrimin tim, e kam thënë para shumë viteve, e qëndrimi është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementëve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve, duhet të jenë të lirë, por gjithashtu kam thënë se mosha 16-vjeçare është pragu dhe në moshën 16-vjeçare ne e shohim si prag për shumë gjëra të cilat kanë ndodhur por edhe të cilat do të duhej të ndodhin”, deklaroi sot Kurti, derisa shtoi se ministria e Arsimit është duke ndjekur me vëmendje çështjen e ngritur, shkruan Gazeta Insajderi.
Derisa, udhëheqsja e Arsimit në vend, Arbёrie Nagavci, pati thënë qershorin e kaluar se për çështjen e mbulesës në shkolla dhe jo vetëm, duhet të hapet debat dhe të flitet me argumente nga ekspertë të fushave.
“Ne duhet të punojmë bashkë, sepse po flasim për atë që është më e mira për fëmijë. Duhet të sigurohemi që asnjë vajzë të mos na mbetet jashtë bankave shkollore dhe duhet të sigurohemi që askujt, të mos i imponohen gjëra që mund të jenë në konflikt ose të jenë kundër asaj që e përcakton Kushtetuta”, pati thënë Nagavci, shkruan Gazeta Insajderi.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton shtetin si “laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”.
Çështja e mbajtjes së shamisë ishte aktualizuar edhe në prill, kur Florentina Gjergjaj, drejtoresha e shkollës së Mesme Teknike ”Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, kishte vendosur një shenjë ku tregonte se ndalohet mbulesa e vajzave në shkollën që ajo drejton.
Pas reagimeve të shumta për rastin, Gjergjaj pati thënë se vetëm po e respektonte Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke i quajtur paragjykuese akuzat ndaj saj.
“Për të dhënë përgjigje për akuzat paragjykuese, tendencioze dhe linçuese ndaj meje, ju ftoj ta lexoni Udhëzimin Administrativ të MASHT-it 06/2014. Pastaj, besoj edhe ju vetë do ta kuptoni ngutinë dhe naivitetin e reagimit tuaj linçues ndaj meje”, pati shkruar Gjergjaj, transmeton Gazeta Insajderi.
“Ju mbase si pushtetare e konsideroni veten mbi ligjin, por unë si drejtoreshë e shkollës nuk ia jap asnjëherë këtë të drejtë vetes sime. Krejt çka angazhohem gjatë punës sime, krahas ngritjes së nivelit të arsimimit në Shkollën “Nexhmedin Nixha”, është edhe respektimi i ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi. Dhe asnjë fushatë e ulët, manipuluese me dashakeqësi dhe përçarëse si kjo e juaja ndaj meje nuk do të mund të ndikojë që unë t’i shkeli ligjet dhe udhëzimet administrative gjatë kryerjes së detyrës sime”.
E njëjta pas kërcënimeve të shumta që kishte marrë, së bashku me familjen e saj ishte larguar nga Gjakova./Gazeta Insajderi/