×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    A do t’i vijë Amerikës ‘Mehdiu Shpëtimtar’ dhe cili mund të jetë ai!

    Insajderi
    25 July 2024 - 14:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    (Si ta kuptojmë më lehtë Amerikën e sotme?)

    Imagjinojeni këtë situatë: Jeni duke udhëtuar gjatë në det mbi një anije e mbipopulluar me pasagjerë. Moti i keq. Furtunë. I rrethuar ngushtë nga njerëzit, i painformuar ç’po ndodh matanë dhe ti ndjen sikur çdo gjë është duke shkuar normal. Sakaq frynë një stuhi e madhe dhe befas zbulon se anija qenkësh në rrezik të fundoset. Nëse kjo që u tha është vetëm imagjinatë, realiteti i botës në të cilën jetojmë sot i përngjet rastit të kësaj anije. Të gjithë në një vorbull, e askush s’po mund ta shuaj zjarrin nën te. Ngjarja që ndodhi në shtetin e Pensilvanisë të shtunën e kaluar, pra, atentati, është ajo stuhia e befasishme që i bëri pasagjerët të kuptojnë se anija e tyre është në rrezik të fundoset. Ndërsa vitet e fundit sidomos në Amerikë i përngjajnë “normalitetit” që po mbretëronte në anije.

    Shkruan: Mustafë Bajrami

    Ekziston një korrelacion i ngushtë midis filmave që i prodhon Hollywood dhe jetës së përditshme amerikane. Skena të trishta, përparime të mëdha, tensione, melodrama, tragjedi e komedi në të njëjtën kohë. Pyes: A filmat holivudian inspirojnë jetën amerikane si dhe vrasjen e presidentëve, apo jeta amerikane frymëzon filmat holivudian?!

    Si i pasionuar pas filmave të mirë, kujtoj se disa prej tyre që u prodhuan në Hollywood-i i paraprin planeve për të vrarë ndonjë president apo kandidat për president të Amerikës. Ndër ta është filmi që i parapriu vrasjes së John F. Kennedy-t në Dallas. Kur John Wilkes Booth vrau presidentin Lincoln në 1865, nuk kishte filma. Po të kishte, mendoj unë, edhe atij rasti do t’i paraprinte ndonjë. Megjithate, kinematografia amerikane e kreu punën e saj më pastaj. Phil Rosen bëri filmin “Dramatic life of Abraham Lincoln”, gjashtë vjet më vonë, David Worth Griffith i bëri filmin “Lincoln”, John Ford erdhi me “Young Mr. Lincoln”, e në fund edhe Steven Spielberg bëri “Lincoln”in e tij.

    Gjithashtu, në vitin 1954 Frank Sinatra luajti në filmin “Suddenly” në rolin e një maniaku që shërbeu në luftën e Koresë dhe doli prej saj si një vrasës profesionist. Edhe Klint Eastwood mori pjesë në filmin “On the Line of Fire” me regji të Wolfgang Petersen në 1993. Për dallim nga të tjerët, Klint Eastwood shpëton jetën e një presidenti. Njëjtë kështu edhe seriali “Olympus”, e më pastaj filmi (Olympus Has Fallen) i Antoine Fuqua tregon se si një njeri i sigurisë (Gerard Butler) i shpëton jetën presidentit (Aaron Eckhart) pasi Koreja e Veriut kishte dërguar aeroplanë për të bombarduar Shtëpinë e Bardhë.

    Kushdo që i ka parë këta filma, dhe disa të tjerë, mund të kuptojë se pozita më e rrezikshme në botë është pozita e presidentit të SHBA-ve. Dhe, jo rastësisht thash në fillim: Ekziston një korrelacion i ngushtë midis filmave që i prodhon Hollywood dhe jetës reale amerikane.

    ***

    Këtu nuk dua të flas për filma e as për teori konspiracioni. Po flas për një fakt të prekshëm e të pamohueshëm. Atentati ndaj Trump tregoi edhe një herë se fati i presidentëve amerikan qenka edhe fati i Amerikës, e fati i Trump thuajse i ngjashëm me fatet e presidentëve të mëparshëm të vrarë apo mbijetuar: Lincoln, Garfield, McKinley, Kennedy, Roosevelt, Ford, Reagan, Bush e të tjerë.

    Historiani i madh amerikan Howard Zinn, autori i enciklopedisë “Historia Popullore e Shteteve të Bashkuara”, flet se të gjitha historitë e Amerikës janë përqendruar rreth Etërve Themelues dhe Shpëtimtarë, të cilët krijuan histori dhe arritën ta shpëtojnë Amerikën në kohë fatkeqësish. Për fat të keq, edhe kësaj radhe ka kohë që skena politike amerikane është lëkundur rëndë, sepse demokracia amerikane dhe institucionet e saj nuk qenë në gjendje të bëjnë më të mirën që i duhej Amerikës.

    ***

    Tani shtroj temën bazë të këtij artikulli: A mund të tejkalohet situata dhe për çfarë presidenti ka nevojë Amerika sot? Për një të mbijetuar rastësisht si Trump, për një si Kennedy që vritet në krye të detyrës, apo për një Xhorxh Washington që triumfoi mbi makutërinë njerëzore për pushtet dhe lëshoi rrugë në momentet më delikate? Gjenerali Xhorxh Washington, ai njeri plot urtësi, i cili e çliroi vendin e tij nga sundimi i anglezëve, e pavarësoi atë dhe i cili për hir të Amerikës dhe amerikanëve, pas dy mandateve ia dorëzoi flamurin pasuesit të tij, John Adams. Megjithëqë, po të donte, mund të mbetej president përjetë.

    Amerika pati edhe presidentë tjerë të guximshëm që morën hapa vendimtarë në momentet më delikate. Ndër ta, një qenie njerëzore si nga pamja, si nga sjelljet ashtu edhe nga njohuritë e tij, Abraham Lincoln, çlirimtari e skllevërve dhe heroi i Luftës Civile që parandaloi ndarjen e vendit. Edhe nëse kjo i kushtoi me jetë, ai demoloi lëvizjet rebele dhe pa frikë e shtypi rebelimin e gjeneralëve jugorë.

    Edhe Roosevelt, në kohën e krizës dërrmuese ekonomike veproi për hir të Amerikës pa marrë parasysh se u bë cak i plumbave të një vrasësi me pagesë. Edhe Xhimi Karter, në mes të tragjedisë së Vietnamit dhe skandalit Watergate, bashkoi amerikanët rreth tij, për të kapërcyer humnerën e dallimeve të thella që ishin krijuar.

    Ç’është e vërteta, shpëtimtarët e Amerikës nuk përkufizohen vetëm në politikanë. Ata gjendeshin në të gjitha strukturat e shoqërisë. Fryma amerikane diti të krijojë yje dhe ekspert në çdo fushë, të cilët hiqnin dorë nga pushteti, dhe, duke harruar veten, zgjidhnin edhe rubikonët më të koklavitur. Si të tillë që ishin, ata shmangën përçarjet në sistemin federal dhe bënë atë që i duhej Amerikës.

    Në fakt, Amerika është e njohur me sistemin më kontrollues në historinë e shteteve. Ka pasur aftësi por dhe pasuri të mëdha që i ndante dhe i minimizonte pakënaqësitë. Kështu i monitoronte më lehtë pakicat e bezdisshme por të rrezikshme për shtetin.

    Po sot, sidomos pas ngjarjes në Pensilvani, a mundet që konflikti civil i cili me gjasë do të shpërthejë, ta futë Amerikën në një spirale dhune më të tmerrshme se e kohës së konfliktit Veri-Jug? Apo, plumbat që i shkrepi Matthew Crooks, do të jenë një zgjim për bashkimin e amerikanëve që të tejkalojnë tragjedinë e cila po u troket në derë? Përgjigja në këtë pyetje varet shumë nga emri dhe sjelljet e njeriut që do të ulet nesër në Shtëpinë e Bardhë.

    Ndoshta për çudinë e shumëkujt, kam përshtypjen se Amerika ka nevojë për një president tjetër farë nga këta dy që janë në garë. Përpjekja e njërit për demonizimin e tjetrit për shkak të atentatit, është e njëjtë me përpjekjen e tjetrit për ta pasqyruar të parin si demon që do ta zhbëjë Amerikën. Trump, me sa shihet e pavarësisht asaj që thotë, nuk është një kandidat model, nëse fiton, e as mund të jetë një bekim për Amerikën. Veçanërisht kur “premtoi” hakmarrje tronditëse. 1000 faqet e “Projektit 2025” që i lansoi Trump, japin shenja për një grusht-shtet ligjor i llojit që ndodhi para një muaji në Turqi. Sipas asaj që thuhet në ato faqe, është e pakapërcyeshme një luftë e ashpër me deep-state, siç i quan Trump njerëzit që veprojnë nën ombrellën e demokratëve. Trump e ndërtoi fushatën e tij mbi idenë se të gjithë dëshironin ta shinin prapa grillave; prokurorët federalë, gjyqtarët, zyrtarët e zgjedhjeve, politikanët rivalë dhe gazetarët të cilët janë përpjekur t’ia diskreditojnë fushatën dhe ta pengojnë kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë. Andaj, paralajmërimi se do t’ua tregoj vendin të gjithë këtyre, a ata janë me qindra mijë nëpunës, politikanë me karrierë e njerëz të shërbimeve sekete amerikane, është paralajmërim i një ndryshimi radikal, ndoshta i pamundur që pritet të ndodhë në Amerikë.

    Trump ka nisur luftë edhe kundër globalistëve në SHBA. Kush janë globalistët? Sipas tij janë fuqitë që e bëjnë botën të vjellë gjak. Është mendësia që kontrollon botën. Sllogani i tij, “Amerika së pari!” nënkupton kthimin vëmendjes së SHBA-ve nga jashtë, brenda. Megjithatë, sipas njohësve të rryer në tema të këtilla, “Amerika e para” e Trumpit synon t’i japë fund hegjemonisë hebreje në Shtetet e Bashkuara. Të njëjtit thonë se nëse rizgjedhet Trump si president i SHBA-së, ai do t’i shkaktojë botës një gjakderdhje të madhe. Sepse fuqia hebreje që dominon Amerikën nuk do të ngurrojë të djegë atë e më pas botën.

    Nga ana tjetër, kur Biden pohon se ardhja e Trump në Shtëpinë e Bardhë mund të ndodhë vetëm mbi trupin e tij të pajetë, aty shfaqet modeli i Al Capone, jo i Thomas Jefferson. Për më tepër, Biden ka përdorur fjalët më të rënda për Trump. Retorikë kjo rrallë herë e dëgjuar në Amerikë, por që tani është pjesë e vokabularit të politikës amerikane.

    Teksa jemi tek Biden, gjatë kohës së tij, ekonomia amerikane, ndoshta edhe për shkak të pandemisë, ishte në telashe serioze. SHBA u detyrua të kërkoj zgjidhje në zbatimin e një transformimi radikal i njohur si Marrëveshja e Re e Gjelbër. Duke qenë se kjo metodë kërkonte burime të mëdha financiare dhe duke qenë se SHBA-të janë të ngulfatura në borxhe dhe me një inflacion të lartë deri në 40%, ajo metodë u pa se mund të jetë shkatërrim absolut të ekonomisë së vendit. Prandaj administrata Biden hoqi dorë shpejt prej saj. Provon opsionin e çekuilibrit financiar dhe luftimin e inflacionit në mënyra të ndryshme. Edhe kjo mënyrë shkaktoi probleme të mëdha. U rritën çmimet e gjërave ushqimore, u vështirësua jeta e përditshme dhe u godit rëndë shtresa e mesme amerikane. E cila në fakt, ka kohë e cila thuajse është tretur.

    Tani i erdhi radha FED-it. FED mori rolin kryesor duke nisur praktikat e tërheqjes së parave nga tregjet në bazë të rritjes së normave të interesit. Në publik thuhej se ishte një luftë kundër inflacionit. Megjithëqë ishte, qëllimi kryesor qe beteja jo me inflacionin, por me luftën globale ndaj dollarit amerikan dhe me rrezikun e përjashtimit të dollarit nga transaksionet tregtare ndërkombëtare. Duke tentuar të riparonin gropat ekonomike që shkaktoi dedollarizimi i tregtisë botërore, ekonomia e brendshme vazhdimisht pësonte rënie. Megjithëqë tërheqja e parave nga tregu, ulë disi inflacionin, kjo nënkupton edhe tkurrje të kërkesës, ulje të investimeve dhe rritje të papunësisë.

    Me pak fjalë, opcionet e ekspertëve të Biden ishin dritëshkurtër. Ishte e qartë se diçka duhej bërë për të shpëtuar ekonominë e alivanosur. Në lojë e fusin ekonominë e luftës, e cila bëhet bërthama e establishmentit amerikan. Rigjallërimi i NATO-s, shtrëngimi i vidave të aleancës SHBA-Evropë, fillimi i luftës Rusi-Ukrainë dhe bllokimi i Kinës në Paqësor ishin taktika për përhapjen e një klimë lufte gjithandej nëpër botë. Nattyrisht për të shitur armë sa më shumë. E gjithë kjo u bë në bashkëpunim midis administratls së Biden dhe korporatave të industrive konvencionale, veçanërisht të energjisë, makinerive, kimikateve, barnave dhe një pjesë e konsiderueshme e fuqive financiare dhe teknologjike të larta.

    Dallimi i Trump nga Biden qëndron në atë që rrethohet nga liderë të fortë administrativë, ndërsa Biden nga burokratë të korruptuar. Biden ka përvojë më të gjatë, sepse është në politikë që nga vitet shtatëdhjeta, por njerëzit rreth tij kanë aftësi më të zbehta krahasuar me ata që kanë punuar në Shtëpinë e Bardhë nga administrata Trump dhe George W. Bush.

    Ngjashmëria më signifikante midis Trump dhe Biden është çështja e Gazës. Donald Trump sot, pra hiç më larg se sot kërcënoi botën me këto fjalë: Nëse pengjet në Gaza nuk kthehen në shtëpi, do të paguani një çmim të rëndë. “Unë e them këtë. Ne duam të kthehen pengjet tona. Dhe më mirë të kthehen para se unë të marr detyrën, përndryshe do të paguani një çmim të madh” ishte kërcënimi i ashpër i Trump drejtuar botës. Po a nuk është Biden që po e bënë të njëjtën në Gaza çfarë po paralajmëron Trump, por pa fjalë?

    ***

    Për t’i kuptuar në thellësi zgjedhjet që do të mbahen në SHBA në nëntor, duhet kuptuar paraprakisht atë se çfarë përfaqësojnë Biden dhe Partia Demokratike. Dhe, në pyetje janë tre probleme: I pari është ekonomik, dy të tjerët janë politikë dhe socio-kulturorë.

    Pra, nuk është vetëm ekonomia e dërmuar ajo që solli gjendjen në këtë pikë. Shikuar nga jashtë dhe analizuar atë që shohim, situata në Amerikë përshkohet edhe nga probleme tjera serioze. George Friedman – një studiues në çështje strategjike – beson se problemet morale, fetare dhe kulturore janë ato që po copëtojnë Shtetet e Bashkuara. Kriza me të cilën përballet Washingtoni është kthyer në një krizë morale, ekonomike dhe politike në gjithë vendin. “Edhe pse çdo president i ri përpiqet të mbushë shpirtrat e njerëzve me shpresë, e vetmja gjë që mund të thuhet në kohën e tanishme është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shkojnë drejt dështimit”, shkruan Fridman. Nga ana tjetër, Alain Badiou, një nga mendimtarët e gjallë më me ndikim në Francë, i cili ka një libër të vogël të titulluar ‘Etika’, kur flet për imoralitetin e politikës, ai argumenton në mënyrë tronditëse se diskursi i “të drejtave të njeriut, demokracisë dhe lirive” vërtetë është një ligjërim joshës, por i rremë dhe i përdorur me metoda jashtëzakonisht imorale.

    Natyrisht, për të legjitimuar hegjemoninë që qytetërimi perëndimor ka prodhuar, diskursi i “të drejtave të njeriut, lirive dhe demokracisë” ka qenë një metodë imorale e përdorur për të maskuar tiraninë e sistemit global i cili është përhapur thuajse në gjithë botën por që rrënjët i ka në Amerikë.

    Prandaj unë nuk hezitoj të them se as vrasja e John Kennedi, as lufta në Vietnam e as afera Watergate nuk ka kumbuar më shumë se sa atentati ndaj Trump. Ka gjasë që kumbimi të reflektojë në ngjarjet e muajve dhe viteve të ardhshme. Sepse ky atentat nuk ishte shprehje e pakënaqësisë së një individi apo grupi njerëzish, por rezultat i frymës së krijuar në dekadat e fundit në Amerikë.

    Atëherë, nëse gjendja është kështu, apo siç thotë Alain Badiou, nëse Amerika është buzë greminës, a ka kush që mund ta kthej për së mbari shtetin më të fuqishëm në botë?

    Ka njerëz të cilët thonë se është tepër e vështirë. Disa të tjerë thonë se është e pamundur. Sipas këtyre të fundit, perandoritë, sikur edhe qeniet e gjalla, lindin, zhvillohen dhe vdesin. Disa prej tyre në mënyrë graduale, disa befas.

    Megjithatë unë mendoj ndryshe. Unë mendoj se ka. Dhe ai do të jetë David James Vance. Pra, as Trump e as Biden apo Kamala Haris. Ky D. J. Vance 39 vjeçar që vjen nga fshatrat e Ohajos dhe i cili u nominua për zëvendëspresident i SHBA-ve.

    Megjithëqë në shkrimin e radhës do të shkruaj gjerë e gjatë për Vance, këtu shkurtimisht po përmendi nuancat kryesore të tij. D. J. Vance është një djalosh që po çmend amerikanët, i cili si John Kennedy më parë, ka gjasë ta ngjallë sërish “Ëndrrën e Madhe Amerikane”? Ai është i rritur në varfëri, është një djalë i një nëne e varur prej droge dhe i një babai që nuk ishte gjithmonë baba i mirë për te. Është tip tejet ambicioz. Ai është një frymëzim për amerikanët. Është kombinim i një historie të mrekullueshme me një jetë të vështirë. Është një storje suksesi. Prandaj romani i tij ‘Hillbilly Elegy’ autobiografik është bërë best-seller dhe u shndërrua në një film inspirues për pjesën rurale të Amerikës. Ai ishte marins që shërbeu në Irak. I diplomuar me notat më të larta në Universitetin Yale. Shumë i suksesshëm në biznes dhe më i suksesshëm në politikë. Është Vance që kundërshtoi ndihmat amerikane për Ukrainën (“Nuk më intereson se çfarë ndodh me Ukrainën. Ukraina duhet të ndalojë manovrat sulmuese në luftën e saj me Rusinë dhe t’i përmbahet një qëndrimi mbrojtës dhe të negociojë me Rusinë”). Që kërkon një marrëveshje me Rusinë (“Shtetet e Bashkuara duhet të fokusojnë forcat e tyre ushtarake në kërcënimet nga Azia, jo nga Evropa dhe Rusia”). Që në Lindje të Mesme të mbështeten sunnitët (arabët) dhe Izraeli (“Nëse do të goditni iranianët, goditini fort. (“Ne duam që izraelitët dhe sunitët-arabë të kontrollojnë pjesën e tyre të botës”). Për Kinën thotë se duhet ushtruar mbi të presion edhe më të ashpër. Që evropianëve u thotë të merrem më shumë me veten (“Ne duam që evropianët të monitorojnë rajonin e tyre dhe ne duam të përqendrohemi më shumë në Azinë Lindore”). Në fakt, Vance mbështet Izraelin dhe kërkon eliminimin e Hamasit. Është ai i cili e quajti Britaninë vend islamik, ndërsa baronesha britanike muslimane ia ktheu: “Islamofobia dhe racizmi i përditshëm kundër muslimanëve po përhapet nga disa figura të fuqishme në shoqëritë tona”.

    Megjithëqë detyrat e zëvendëspresidentit janë protokollare, si ceremonitë, funeralet dhe të ngjashme, nëse fiton Trump, Vance mund të jetë një shkëndijë për të ardhmen amerikane. Ka njohës të thellë të Amerikës që po e quajnë Godo, Mehdiu Shpëtimtar i Shtëpisë së Bardhë.

    Dhe, me gjysmë zëri po e shtroj këtë pyetje: Po sikur ardhja e ‘Mehdiut Shpëtimtar’ në Shtëpinë e Bardhë të vonohet për një kohë të gjatë? Përgjigjet këtu mund t’i japin vetëm konspiracionistët të cilët, edhe nëse shumë rrallë ia qëllojnë, kësaj here nuk do të kisha dëshiruar t’ia qëllojnë fare.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark