Sipas informacioneve të fundit nga Federata e Futbollit e Rumanisë, të cilat i kanë transmetuar mediumet rumune, vëzhguesi i UEFA-s ka kërkuar që ndeshja të mos ndërpritet.
Sipas raportimeve nga mediumet rumune, vëzhguesi i UEFA-s, Milovan Dukanoviç, ka thënë se arbitri nuk kishte arsye për të ndërprerë ndeshjen.
Duke pasur parasysh faktin se ka pasur incidente të mëparshme vitin e kaluar, në ndeshjen ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës, FRF kishte kërkuar sqarime shtesë nga UEFA para ndeshjes.
Sipas burimeve të FRF, mesazhi ishte shumë i qartë. Ndeshja nuk mund të ndërpritet nëse bërtet “Serbia” apo mesazhe të tjera politike. Loja mund të ndërpritet vetëm nëse do të brohoriteshin parrulla raciste, homofobike ose nëse rrezikohej integriteti i lojtarëve.
Në takimin teknik me vëzhguesin e UEFA-s, Kombëtarja e Kosovës ka kërkuar që ndeshja të ndërpritet nëse brohoritet “Serbia”, por vëzhguesi ka refuzuar që në fillim.
Në stadium, para ndeshjes, vëzhguesi i UEFA-s ua përsëriti qartë lojtarëve se nuk largohen nga fusha nëse arbitri nuk bie bilbilit, por futbollistët kosovarë nuk i përfillën fjalët e vëzhguesit dhe u larguan nga fusha në kohën shtesë.
Nëse arbitri vendoste të ndalonte lojën, duhej të aktivizohej procedura me 3 hapa: njoftimi në stacion, pasuar nga ndërprerja e ndeshjes për 5 minuta dhe më pas përfundimi i ndeshjes. Kjo procedurë nuk u nis sepse nuk kishte arsye.
Lojtarët kosovarë thuhet se kanë hyrë të vetëm në zhveshtore dhe nuk kanë pritur askënd, as gjyqtarët, as vëzhguesin e UEFA-s dhe as përzgjedhësin Franco Foda.
Ndeshja mes Rumanisë e Kosovës u ndërpre mbrëmë dy minuta para përfundimit të takimit, për shkak se Kombëtarja e Kosovës i cilësoi fyese brohoritjet “Serbia, Serbia”.