Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përgjatë ditës së sotme ka shprehur gatishmërinë e subjektit politik të tij për mbajtje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Këtë ai e bëri të ditur në një letër të bërë publike drejtuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, për një takim të propozuar nga AAK-ja, teksa refuzoi pjesëmarrjen në atë takim. Në anën tjetër, AAK-ja ka përmendur që ta sjellë në Kuvend mocionin e mosbesimit, për ta rrëzuar Qeverinë Kurti. Por, cili është qëndrimi i LDK-së?
Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka bërë një qëndrim të qartë nëse do ta shohë vendin në zgjedhje.
Për këtë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar anëtarin e kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri, njëherësh edhe kryetar i Komunës së Pejës. I njëjti ka thënë, ndonëse jo në një version zyrtar, se nuk beson që LDK-ja mbështet shkuarjen në zgjedhje.
“Nuk e besoj qe e kemi mbështet ne këtë punë”, ka thënë Muxhaheri shkurt lidhur me këtë çështje.
I njëjti ka bërë të ditur se as LDK-ja nuk do t’i shkojë në takim presidentes Osmani, deri në momentin kur ajo të deklarohet lidhur me zhvillimet në veri dhe distancimet nga Qeveria Kurti.
“Sa e di unë, është një kërkesë e presidentes [Vjosa Osmani] për t’u takuar. Është një përgjigje e kryetarit që duhet takuar, por pasi që ajo të prononcohet për zhvillimet e fundit në vend dhe të distancohet nga disa qëndrime të Qeverisë”, ka thënë ai.
Deri më tani, dy partitë e tjera opozitare, PDK dhe AAK, kanë shprehur gatishmëri që ta çojnë vendin në zgjedhje. /Insajderi.org/