×
Aktuale

A e njohu Izraeli shtetësinë e Kosovës?– MPJ tregon nëse pranuan notën verbale

Insajderi
02 October 2020 - 12:50
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Xheneta Uka

Njohja e shtetësisë së Kosovës nga Izraeli, ishte e arritura më e madhe në marrëveshjen e 4 shtatorit në Uashington në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por, ndonëse ka kaluar gati një muaj, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, nuk ka pranuar ende notën verbale nga ky shtet.

Kishin kaluar dy vjet e gjysmë prej kur Republika e Kosovës ka pranuar njohjen e fundit ndërkombëtare, deri me 4 shtator kur erdhi njohja nga Izraeli përmes marrëveshjes së Uashingtonit. Ka qenë Barbadosi që më 15.02.2018, ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Njohja e Kosovës nga Izraeli, që ka superfuqinë ekonomike e ushtarake në botë, shënon shtetin e 117-të që njeh Pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Kjo ishte bërë zyrtare nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump i cili tha se Kosova dhe Izraeli janë pajtuar që të normalizojnë raportet dhe të vendosin marrëdhënie diplomatike.

Por ndonëse kanë kaluar gati një muaj që kur Izraeli njohu Kosovën me 4 shtator, nota verbale e njohjes, nga ky shtet nuk ka ardhur ende në Qeverinë e Kosovës.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme kjo notë pritet të vij në një të ardhme të afërt pasi procedurat kanë filluar tashmë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka filluar procedurat për shkëmbimin e notave verbale të njohjes së ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit. Shkëmbimi i këtyre notave pritet të bëhet në një të ardhme të afërt dhe të fillojnë procedurat për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis të dyja vendeve”, thuhet në përgjigjet e MPJ-së dhënë Gazetës Insajderit.

Në tavolinën ku u nënshkrua kjo njohje u vendos që Kosova  të hapë ambasadën në Izrael, konkretisht në Jerusalem.

E këtë e kishte bërë të ditur edhe vet kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu.

“Kosova ka rënë dakord të hapë ambasadën në Izrael, konkretisht në Jerusalem”, kishte pohuar Netanyahu.

Sipas tij, Kosova është bërë vendi i parë me shumicë myslimane që do të ketë ambasadën në këtë vend.

Të ejten ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj ka zhvilluar një bisedë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi, ku kanë biseduar për krijimin e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit.

Ndërsa, të premtë pala kosovare ka bërë një hap para në vendosjen e marrëdhënieve mes dyja shteteve duke emëruar edhe përfaqësuesën e Kosovës në Izrael.

Ines Demirin do të jetë e Ngarkuar me Punë e Republikës së Kosovës në Izrael.

Marrëdhëniet në mes shqiptarëve dhe hebrenjve të Izraelit

Marrëdhënia mes shqiptarëve dhe hebrenjve u forcua në tragjedinë e Holokaustit, kur shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë refuzuan t’i dorëzonin anëtarët hebreje tek Italia fashiste dhe Gjermaninë naziste.

Shqiptarët ndihmuan shumë refugjatë hebrenj që iknin nga Evropa Qendrore dhe Jugore, duke u ofruar atyre ushqim dhe strehim.

Dhe kjo lidhje u përforcua në vitin 1999, kur gjatë spastrimit etnik të kryer në Kosovë nga Serbia, Izraeli mirëpriti refugjatët shqiptarë.

Sipas shifrave që ofrojnë organizatat e komunitetit hebre, familje nga Shqipëria dhe Kosova ua shpëtuan jetën rreth 2 mijë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kurse, sot në Kosovë jetojnë aktualisht rreth 80 familje me prejardhje hebraike.

Ndërsa, ngurrimi i Izraelit për të njohur Kosovën ishte pjesërisht i motivuar nga frika se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës mund të përdoret si precedent në lidhje me konfliktin izraelito-palestinez. /Insajderi.org

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark