Një ngjarje e çuditshme ka ndodhur ditën e sotme në Gjykatën Speciale të Hagës.
Përgjatë gjithë kohës, dëshmitari Fadil Geci fliste për një bisedë telefonike të Hashim Thaçit me Rexhep Selimin në kohën e luftës për komunikatën 59.
Atë thoshte se e ka parë në intervistën e Selimit në RTV Dukagjini, por kështu nuk mendoi edhe avokati Luka Misetiq.
“Ju tani pretendoni se e keni dëgjuar Rexhep Selimin të thoshte në atë videon që u transmetua këtu në ekran që ai ka marrë një telefonatë nga Hashim Thaçi. Unë ju them që në videon që kemi parë dhe kemi dëgjuar nuk flitet fare për një bisedë telefonike që i bën zoti Thaçi, zotit Selimi. Unë po ju them që këtë nuk e keni parë në gjykatë, në video. Ndoshta këtë informacion ju e keni marrë nga intervista e zotit Selimi që e keni lexuar gjatë seancës përgatitore me ZPS-në. A e pranoni ju këtë gjë dëshmitar?”, pyeti Misetiq.
Pra, avokati Misetiq, dyshoi se prokurorët ia kanë treguar Fadil Gecit dëshminë e Rexhep Selimit në seancat përgatitore para se të shkonte në sallë.
“Është e vërtetë që është e njëjta. Në intervistë e thotë e ka shkru vet Hashim Thaçi kurse këtu edhe akuzat që i bohet nga prokuroria, thotë me telefon më ka thirrë edhe i kom thanë ma, edhe ka thanë po du mi shfarosë këtë familje”, tha Fadil Geci.
Teoria e mbrojtjes së Thaçit ishte se Prokuroria e nxiti Fadil Gecin në armiqësi më të madhe me Hashim Thaçin.
“A e pranoni se ZPS-ja gjatë tregimit të intervistës së Rexhep Selimit për ju e ka rritur edhe më tepër armiqësinë tuaj ndaj zotit Thaçi, dhe kjo armiqësi është bërë edhe më e madhe se sa ka qenë më e madhe përpara se të jepnit intervistë për ZPS-në dëshmitar”, pyeti Misetiq.
“Unë mendoj e ki gabim, punën ma të mirë kjo e ka ba kur na i ka ofru krejt mundësitë e mundshme me pa me sy tut, kush, çka qysh. Osht për mu vlerësu për punën e mirë që ka ba. E kundërta e asaj që po e thua ti që nuk menoj që si ekspert duhet me e thanë ata. Nuk i bo mirë as mbrojtësit ton me e thonë ato. I bo dom. Dom po i bon” u përgjigj Fadil Geci.
Për këtë reagoi ashpër edhe Luka Misetiq.
“Me mbrojtjen e klientit tim merem unë, ti duhet të merresh që të na tregosh me gjërat që di vet. Tema e fundit është që gjatë seancës përgatitore me ZPS-në, ju nuk mendonit që zoti Thaçi donte që të shkatërronte gjithë familjen tuaj, dhe ndërkohë pasi patë dëshminë e zotit Selimi juve pastaj menduat që donte zoti Thaçi që ta fshinte gjithë familjen tuaj”, tha avokati.
“Jo more sipas, po e kom pa gjatë tërë kohës unë prej që u ardh në 1998-ës. Punën e tij e kom pa me sytë e mij. Që ka menu me na shfaros”, u përgjigj Fadil Geci.