Në përshkrimin e detyrave të konsujve është edhe promovimi i shtetit vendas në shtetin mysafir. Megjithatë, Behar Isma, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Dusseldorf vendosi ta bëjë punën e tij ndryshe. Madje ta cenonte ligjin. Ai u pa prezent në atë që Vetëvendosja e prezantoi si tubim madhështor në Koln të Gjermanisë.
Në galerinë e fotografive të shpërndara nga kanali zyrtar i komunikimit të Lëvizjes Vetëvendosje në ‘Facebook’, përveç pjesëtarëve të mërgatës shihen edhe zyrtarë qeveritarë e kryetarë komunash nga radhët e kësaj partie. Aty është edhe kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, ku mbajti fjalim, shkruan Insajderi.
Krahas mërgatës, aty u pa edhe një mysafir i pazakontë. Behar Isma. Përngjit fotografive, Lëvizja Vetëvendosje bashkëngjit edhe një shkrim me elemente partiake.
“Në Köln, atmosfera ishte e mbushur me emocion dhe pritshmëri! Bashkatdhetarët tanë u bashkuan për ta pritur Kryeministrin Albin Kurti. Besimi në reformat transformuese të qeverisë Kurti është aq i lartë sa që tubime madhështore si këto janë edhe ngjarje festive plot shpresë dhe entuziazëm për të ardhmen. Bashkime kaq të mëdha të shqiptarëve jashtë vendit tregojnë se diaspora jonë është më e vendosur se kurrë për të ndihmuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për Kosovën”, thuhet në postimin e djeshëm të Vetëvendosjes në ‘Facebook’.
Por, ligji duket se nuk ia lejon pjesëmarrjen në këso tubimesh Ismës. Në bazë të Ligjit për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, nëpunësi i shërbimit të jashtëm parashihet t’i pezullojë aktivitetet partiake.
“Nëpunësi i shërbimit të jashtëm ka për detyrë: të pezullojë aktivitettin e tij në një parti, organizate ose shoqate politike gjatë periudhës në shërbimin e jashtëm“, thuhet gjegjësisht në nenin 32, pikën 1.5 që përshkruan detyrat e nëpunësit të shërbimit të jashtëm.
Gazeta Insajderi raportoi përgjatë ditës së djeshme se si ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Behar Ismam mund të dënohet me burg për shkak se ai po dyshohet se ka kryer veprën penale “Deklarim të rrejshëm nën Betim”.
Krejt kjo pasi ndaj tij, Ish-shoferi i Konsullatës së Kosovës në Frankfurt, Miftar Dragidella ka adresuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës një kallëzim penal të bazuar në fakte dhe dokumente se si ish-sekretari ka bërë falsifikim të një nënshkrimi dhe deklarim të rrejshëm lidhur me largimin nga puna të shoferit nga Konsullata e Kosovës në Frankfurt në vitin 2021.
Dokumentet që ka ofruar Dragidella tek organet e drejtësisë, kanë konfirmuar se Isma ka pretenduar rrejshëm që nuk kanë shkuar në adresë të MPJD-së vendimet për rastin Dragidellës, nëpërmjet një letre të cilën ia ka nënshkruar dikush tjetër.
E Isma i ka shkruar gjykatës gjermanes se vendimi asnjëherë nuk ka shkuar në adresë të Ministrisë.
Në Intervistën dhënë për Insjaderin Dragidella po ashtu ka treguar se një kallëzim penal e ka bërë edhe ndaj ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, si dhe ndaj ambasadorit të Gjermanisë, Faruk Ajeti, për “moslajmërim të veprës penale”. /Insajderi.org/