
Shkruan: Kenan Gashi
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, po përballet me akuza lidhur me skandalin e mbetjeve shtazore. Megjithatë, vëmendja publike dhe mediatike është përqendruar kryesisht te ai, ndërsa roli i zëvendësministrit Imri Demelezi pothuajse nuk është trajtuar fare. Kjo ngre disa pyetje të rëndësishme për transparencën dhe llogaridhënien institucionale.
Faton Peci është një nga ministrat më aktivë dhe të zëshëm në luftimin e dukurive negative brenda ministrisë që udhëheq. Ai ka qenë i angazhuar publikisht kundër korrupsionit dhe keqpërdorimeve, dhe për këtë është vlerësuar në disa raste. Por kjo nuk mjafton për të shmangur përgjegjësinë institucionale dhe politike që kërkon trajtim të gjithanshëm të rastit.
Prandaj, lind një pyetje e natyrshme:
Çfarë ka qenë roli i zëvendësministrit Imri Demelezi në këtë çështje?
A është ai i përfshirë në ndonjë formë në këtë skandal, apo pse nuk ka ndërmarrë veprime parandaluese në kohë?
Z. Demelezi është diplomuar në Agroekonomi në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës dhe ka përfunduar studimet master në Universitetin e Bolonjës, Itali, në fushën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Hapësirave Bujqësore dhe Rurale. Po ashtu, ai ka kryer specializim në “Bujqësi Organike Mesdhetare” në IAM Bari, Itali.
Duke marrë parasysh këtë përgatitje të lartë akademike dhe përvojën në sektorin e bujqësisë, është e drejtë të kërkohet një përgjigje e qartë:
Pse një profesionist me këtë profil nuk ka identifikuar ose parandaluar skandale të tilla në kohën kur ka ushtruar funksione vendimmarrëse në Ministri?
Përgjegjësia në institucione publike nuk është individuale vetëm për njërin zyrtar të lartë. Ajo duhet të jetë e përbashkët, dhe secili funksionar duhet të japë llogari për kompetencat dhe vendimet që ka marrë ose ka dështuar t’i marrë.