A është Rina Maloku nën hetim për vdekjen e Festim Isufit? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    A është Rina Maloku nën hetim për vdekjen e Festim Isufit?

    Insajderi
    28 August 2025 - 20:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kanë kaluar më shumë se katër muaj nga vdekja e dizajnerit të njohur kosovar, Festim Isufi, i cili u gjet pa shenja jete më 9 maj në banesën e tij në Rrugën B të Prishtinës, por hetimet për rastin ende nuk kanë dhënë rezultate konkrete.

    Bashkëshortja e tij, Rina Maloku-Isufi, gjithashtu u gjet me lëndime trupore dhe u dërgua menjëherë për trajtim mjekësor, ndërsa familjarët dhe opinioni publik mbeten në pritje të zbardhjes së plotë të ngjarjes.

    Avokati i Rina Malokut, Arianit Koci, ka deklaruar për media se klientja e tij nuk është në cilësinë e të dyshuarës dhe se nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar nga organet e drejtësisë:

    “Po besojë që policia po vazhdon hetimet, me punët e veta. Unë nuk kam informacion as që e kanë mbyll as që s’e kanë mbyll. S’kemi më informacione. Policia s’kanë dhënë asnjë informacion. Dua të theksoj se Rina nuk është në cilësinë e të dyshuarës.”

    Familjarja e dizenjatorit: Festim Isufi nuk ka bërë vetëvrasje

    Një familjare e dizenjatorit të ndjerë, Festim Isufi, ka mohuar kategorikisht që ai të ketë kryer vetëvrasje.

    Ajo thoshte se familja nuk ka marrë ende raportin zyrtar të autopsisë dhe se të gjitha informacionet që kanë mësuar deri tani, i kanë marrë përmes mediave.

    “Absolutisht jo, nuk i ka dhënë fund jetës së tij. Festimi që e njohim ne, kjo është krejt e dyshimtë. Me 7 plagë është e pamundur të kryhet vetëvrasje, përmes mediave e kemi kuptuar sepse ne s’kemi pranuar ende asnjë raport,” – tha ajo për Kosova Today, përcjell Insajderi.

    Familjarja gjithashtu ka kritikuar mënyrën se si rasti është trajtuar publikisht.

    “Më e rënda është që është trajtuar në mënyrë të keqe dhe janë thënë shumë fjalë që nuk kanë përkit me karakterin dhe dinjitetin e tij. Vetëvrasja që është thënë ka qenë jashtëzakonisht e rëndë për neve, por në të njëjtën kohë edhe dhuna që është përmendur ndaj bashkëshortes – po na del që nuk është e vërtetë.”

    Në lidhje me kontaktet me bashkëshorten e të ndjerit, Rina Maloku-Isufi, familjarja tha se nuk ka komunikuar personalisht me të.

    Sipas informacioneve të Gazetës Insajderi, ngjarja tragjike ka ndodhur më 9 maj, në banesën e Isufit në Rrugën B, Prishtinë, ku dizenjatori u gjet i vdekur dhe bashkëshortja e tij, Rina Maloku-Isufi, mbeti e lënduar.

    Burimet tregojnë se në vendin e ngjarjes janë gjetur dy thika. Njëra ishte në duart e Rina Maloku-Isufit, ndërsa tjetra pranë këmbës së majtë të viktimës. Gjithashtu, Rina është parë me një thikë në dorë edhe kur ka kërkuar ndihmë në një ordinancë afër banesës.

    Raportet e siguruara nga burimet e Insajderit konfirmojnë se viktima kishte 7 plagë në zonën e qafës dhe fytit – pesë prej tyre janë vlerësuar si të lehta, ndërsa dy plagë fatale rezultuan me humbjen e jetës së tij.

    Më 23 maj, është finalizuar autopsia e trupit të Festim Isufit, e cila është dorëzuar familjes dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Përmbajtja e këtij raporti ende nuk është bërë publike.

    Lexo edhe:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark