
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i është drejtuar me një letër presidentes së vendit, Vjosa Osmani, lidhur me zgjatjen e mandatit të Misionit të EULEX-it dhe të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Në letrën e tyre, OVL UÇK shpreh interesim për të kuptuar nëse është marrë tashmë vendimi për zgjatjen e mandatit dhe nëse është zhvilluar ndonjë komunikim zyrtar me përfaqësuesen e re të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, znj. Kaja Kallas.
Letra e plotë dërguar presidentes Osmani:
E nderuar znj. Presidente Vjosa Osmani,
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ju drejtohet lidhur me vendimin e fundit për zgjatjen e mandatit të Misionit të EULEX-it në Kosovë dhe Dhomave të Specializuara, për një periudhë tjetër dyvjeçare (2025–2027), siç është raportuar publikisht nga mediat evropiane dhe vendore.
Jemi të vetëdijshëm se në të kaluarën një vendim i tillë është formalizuar përmes shkëmbimit zyrtar të letrave ndërmjet Jush dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së.
Dëshirojmë të dimë nëse është marrë vendimi për zgjatjen e mandatit dhe nëse ka pasur një shkëmbim të ri letrash me Përfaqësuesen e Lartë aktuale të BE-së, znj. Kaja Kallas, në lidhje me këtë vendim të fundit për mandatin e EULEX-it dhe Gjykatës Speciale.
Duke qenë se shumë nga bashkëluftëtarët tanë ndodhen aktualisht në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë, ne si organizatë jemi drejtpërdrejt palë e interesuar në këtë proces.