Përfaqësuesit serbë në të gjitha institucionet e Kosovës do të lënë detyrën. Kjo është vendosur nga Lista Serbe sot ( e shtunë ) në Zveçan.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga radhët e komuniteti serb, kanë zhveshur uniformat e Policisë, në shenjë revolte pas ndaj vendimit të kryeministrit Albin Kurti për targat dhe për vendimin për suspendimin e drejtorit rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriq.
Në pamjet e publikuara shihen se ata kanë zhveshun uniformat, por, që nuk shihet nëse kanë dorëzuar armët zyrtare.
Insajderi ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të pyetur më shumë rreth rastit.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani tha se është procedurë, pa treguar se a i kanë dorëzuar a jo.
“Është procedurë”, tha Kelani.
Lidhur me zhvillimet e sotme në veri kanë reaguar edhe krerët e shtetit, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti.
Kurti tha se se përfaqësues të Listës Serbe para një jave kanë thënë që do të organizojnë rezistencë të ashpër kundër gjobave.
“Përfaqësues të Listës Serbe para një jave kanë thënë që do të organizojnë rezistencë të ashpër kundër gjobave. Mirëpo, nuk e pritën 21 nëntorin: Beogradi nisi kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës. Prandaj, diçka tjetër është në pyetje”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai shkroi se presidenti i Serbisë ka gënjyer e zhgënjyer amerikanët dhe evropianët.
“Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët; ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit”, tha Kurti.
Ndërsa, Osmani tha se largimi i serbëve, qoftë edhe përkohësisht nga pozitat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, ka për synim destabilizimin e veriut të vendit.
“Një veprim i tillë është bërë me presionin e pushtetit në Beograd. Qasja e tillë po u shkakton probleme serioze qytetarëve serb në veri, të cilët po ndihen të rrezikuar nga veprimi i strukturave ilegale, të cilat synojnë destabilizimin”.
Sipas Osmanit, ky veprim reflekton tërheqje të Serbisë nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale në Kosovë.
Ajo tha se pavarësisht së gjithave Serbia nuk do të arrijë të ndryshojë karakterin multietnik të institucioneve dhe ta cenojë paqen e sigurinë në Republikën e Kosovës.