
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, sot nuk gjeti përkrahje nga partia e tij, PDK, në mbledhjen e kryesisë që të jetë kandidat i kësaj komune. Mori vetëm katër vota. Lladrovci ka sfiduar me deklarata kryesinë e kësaj partie, por edhe me vepra. Ai s’kishte përfshirë në listën zgjedhore të asamblistëve drejtorët aktualë të komunave, ashtu siç udhëzonte kreu i PDK’së, Memli Krasniqi.
Lladrovci tri ditë më parë kishte njoftuar se s’do t’i përfshijë drejtorët në listën zgjedhore të asamblistëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, shkruan Insajderi.
“Konsideroj se nëse drejtorët do të jenë pjesë e listës, do të kenë epërsi ndaj të tjerëve sepse kanë pasur funksione ekzekutive dhe do të ketë pabarazi brenda listës, e para, si dhe koncepti im për gjithëpërfshirje. Komuna jonë ka 43 lokalitete ndërsa i kemi 27 vende në Asamble, nga 30 kandidatët e Listës“, ka deklaruar Lladrovci pos tjerash.
Ai në shkrim rikujton po ashtu udhëzimin që më herët kishte marrë nga Krasniqi.
“Në takim me kryetarët e Degëve dhe kryetarin Memli Krasniqi, kohë më parë, kur kemi diskutuar për parimin e hartimit të Listës për Asamble, kemi marrë udhëzim që të gjithë asamblistët dhe drejtorët e drejtorive të jenë në listë“.
PDK ka publikuar listën e plotë të kandidatëve për kryetarë komunash për zgjedhjet e 12 tetorit. Lidhur me këtë ka shkruar Krasniqi, ku në mesin e ish-kandidatëve të tjerë, ka përmendur edhe Lladrovcin.
“Në këtë frymë, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për kontributin e katër kryetarëve aktualë të komunave: Bedri Hamza (Mitrovicë), Ramiz Lladrovci (Drenas), Fadil Nura (Skenderaj) dhe Besim Ilazi (Kaçanik), të cilët nuk janë kandidatë në këto zgjedhje, por që kanë qeverisur me efikasitet dhe kanë përfaqësuar me nder vlerat e PDK-së“, ka shkruar Krasniqi.
Lladrovci ka bërë të ditur se do ta vazhdojë garën e tij për komunën e Drenasit, por pa kuptuar se nëse do të jetë si kandidat i pavarur apo i ndonjë subjekti tjetër politik. /Insajderi.org/