Qeveria Kurti, ndonjëherë i lutet Greqisë për ta njohur Kosovën, e me raste edhe nuk e shohin si të rëndësishme njohjen nga shteti helen, shkruan Insajderi
Sipas ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, nuk është e nevojshme që t’i lutet Greqisë për njohje.
“Me Greqinë ne ndajmë një histori të lashtë dhe të vlerave evropiane. Natyrisht se qeveria jonë është shumë pro-evropiane. Jemi të bindur që vendimi i Greqsisë si një shtet i rëndësishëm do të ishte kontribut historik për një stabilitet afatgjatë në rajon dhe jo vetëm. Ne nuk i lutemi për njohje Greqisë, pasi që tashmë jemi njohur nga shumica e shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-së”, ka thënë Gërvalla.
Këtë deklaratë, ministrja e dha për mediumin grek Tovima teksa po qëndronte në Athinë.
Nërkaq, në Forumin Ekonomik në Greqi Kryeministri Kurti kërkoi që shteti helen ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ai tha se njohja e Greqisë do mund t’i sillte Kosovës edhe njohje të reja nga vendet e tjera
“Ne kemi komunikim dhe bashkëpunim të mirë me Greqinë, mes njerëzve të Kosovës dhe Greqisë, mes të dyja qeverive. Është vetëm një urë që duhet ta kalojmë. Është koha e duhur që Greqia ta njohë Kosovën. Para kësaj dhe veçanërisht pas njohjes, ne mund të rrisim bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimin tregtar. Mendoj se Greqia është lidere regjionale dhe mund ta ndihmojë Kosovë të marrë njohje të reja”, ka thënë Kurti.
Kjo pra vërtetoi një kundërshti mendimesh mes dy bashkëpuntorëve, pra Kurtit dhe Gërvallës.
Gjithashtu më pas, krerët e Republikës së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih (MSC) ishin takuar me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.
E çka theksonte komunikata e cila binte në kundërshtim me deklaratat e mëhershme të Gërvallës ishte kërkesa për njohje nga ky shtet.
“Ata po ashtu kanë theksuar rëndësinë e njohjes së shtetit të Kosovës nga Greqia, si hap i radhës i natyrshëm drejt thellimit të mëtutjeshëm të raporteve”, thuhej në komunikatë.
Gjithashtu sot, Kryeministri Albin Kurti gjatë një adresimi në debatin e Greek House në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ka thënë se shpreson që Greqia sa më shpejtë t’iu bashkohet 22 shteteve të Bashkimit Evropian që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Duke folur për marrëdhëniet gjithnjë e më të mira dhe intensifikimin e bashkëpunimit, kryeministri Kurti tha se edhe takimet ndërmjet politikanëve të Greqisë dhe atyre të Kosovës janë shpeshtuar kohën e fundit. Ndërkohë që eksportet e Kosovës për në Greqi janë rritur 160 për qind.
“Afërsia gjeografike me Greqinë, por edhe kostoja e ulët e shpenzimeve krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, e bën Kosovën vend atraktiv për investime të kompanive greke”, tha kryeministri Kurti.
Po ashtu, shprehu besimin se Greqia mund të bëhet lidere në përshpejtimin e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Ndryshe, Greqia është njëra nga pesë vendet e BE-së, së bashku me Rumaninë, Spanjën, Sllovakinë e Qipron që vazhdojnë të mos e njohin Kosovën.
Pra siç duket, edhe ministrja Gërvalla tashmë është “pishman” për fjalët e thëna dhe dëshiron që Kosova të njihet nga Greqia./Insajderi