“A janë udhëheqësit e BE-së hipokritë?”, Osmani pyetet nga gazetarët pasi kritikoi pak BE-në për përkëdhelje të Serbisë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “A janë udhëheqësit e BE-së hipokritë?”, Osmani pyetet nga gazetarët pasi kritikoi pak BE-në për përkëdhelje të Serbisë

    Insajderi
    02 October 2025 - 11:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidentja Vjosa Osmani në një deklarim për media në Kopenhagë ku po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian pati disa kritika e sugjerime për Bashkimin Europian dhe qasjen që ka ndaj Serbisë, e cila s’po i fsheh marrëdhëniet e mira me Rusinë.

    “Për Bashkimin Europian do të doja të thosha: historia na tregon se zbutja e diktatorëve dhe autokratëve nuk çon kurrë në paqe të qëndrueshme. Përkundrazi, vetëm i inkurajon ata të përshkallëzojnë dhunën”, tha ajo derisa po fliste për luftën në Ukrainë.

    Osmani tha se thirrja e saj për BE-në është që të ketë kujdes se si i trajton satelitët e Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe të mos i përkëdhelë ata.

    Ajo kujtoi sulmin terrorist të Banjskës dhe tha se përkundër që BE ka kërkuar llogaridhënie, kjo gjë s’ka ndodhur.

    “Sapo shënuam dy vjet nga agresioni aktiv i Serbisë në veri të vendit tim. BE-ja ka kërkuar vazhdimisht llogaridhënie, por nuk ka pasur asnjë. Është koha që ata të kalojnë nga fjalët në vepra”.

    Këtu Osmani u pyet nëse mendon që udhëheqësit e BE-së janë hipokritë.

    “Jo. Nuk po them që janë hipokritë. Besoj se synimet e tyre janë të mira. Por historia duhet të merret si mësim. Dhe sidomos historia se si është trajtuar Putini na tregon se përkëdhelja e njerëzve si Putini nuk çoi kurrë në paqe të qëndrueshme. Vuçiqi është përpjekur ta kopjojë Putinin duke përdorur agresion dhe taktika destabilizimi kundër fqinjëve. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që shtetet anëtare ta kuptojnë që të shpërblejnë Serbinë që po qëndron me Rusinë nuk është rruga e duhur përpara. Vendet që janë 100% në linjë me BE-në duhet të shpërblehen – jo ato që kanë zgjedhur Moskën si rrugë përpara”.

    “Sot, Europa përballet me dy kërcënime kryesore të sigurisë. Njëri është Rusia, qartësisht. Tjetri, veçanërisht në rajonin tonë, është përfaqësuesi dhe zgjatimi i Rusisë – Serbia. BE-ja nuk mund ta trajtojë njërin si agresor dhe diktator dhe tjetrin si partner për paqe. Konsistenca është thelbësore”.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark