Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk e ka cilësuar përhapjen e Human Metapneumovirus (HMPV) në asnjë vend si një emergjencë shëndetësore, kështu që nuk ka nevojë për shqetësim, ka bërë të ditur një zyrtar shëndetësor në Iran.
Zyrtari, siç raporton Tehran Times, i bëri komentet të dielën pas raporteve të fundit dhe postimeve në mediat sociale që sugjeronin se virusi po përhapet me shpejtësi në mbarë Kinën. Disa pretendojnë se spitalet dhe krematoriumet janë të mbingarkuar nga fluksi i pacientëve, përcjell Insajderi.
Raportet tregojnë se rritja e rasteve të HMPV ka çuar në një rritje të dukshme të vdekjeve të papritura, veçanërisht duke prekur individët e moshës 40 deri në 80 vjeç.
HMPV mund të shkaktojë sëmundje të frymëmarrjes së sipërme dhe të poshtme te njerëzit e të gjitha moshave, ku fëmijët e vegjël, të rriturit e moshuar dhe ata me sistem imunitar të dobësuar janë më të prekshëm.
“Sipas Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit (IHR), nëse një sëmundje është e përhapur në një rajon, ajo duhet të raportohet në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, atëherë organizata do të përcaktojë nëse një ngjarje e veçantë përbën apo jo një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar”, citohet të ketë thënë Qobad Moradi, zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë së Iranit.
Respektimi i higjienës personale, mbajtja e maskave dhe larja e vazhdueshme e duarve mund të kontribuojnë shumë në kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve infektive, veçanërisht sëmundjeve të frymëmarrjes dhe atyre sezonale, vuri në dukje ai. /Insajderi.org/