Dinamikat e fundit që kane përshkuar gjeopolitikën globale, konkretisht shpërthimi i luftës Rusi – Ukrainë dhe tensionet Kinë – Tajvan kanë riaktualizuar rrezikun e një mësymje ushtarake të Serbisë karshi Republikës së Kosovës.
Rastet e mësipërme, por me theks të veçantë situata e fundit që u provokua në veri nga strukturat e instrumentalizuara nga aparati i Vuçiqit, për Kryeministrin e Republikës së Kosovës u konsiderua si një prelud përpara një invadimi ushtarak të Serbisë mbi Kosovën, shkruan Gazeta Insajderi.
Lidhur më këtë alarm të kryeministrit Kurti, opinionisti i njohur, Halil Matoshi argumentoi kundër mundësisë të një sulmi të Serbisë mbi Republikën e Kosovës.
Sipas Matoshit, prania e forcave të NATO-s, krahas FSK-së përbën garancë për paqen dhe sigurinë tonë.
“KFOR-i si mision i NATO-s është me mandat të KS të OKB-së në Kosovë për ruajtjes e paqes dhe sigurisë. Pra NATO është përgjegjëse për kufirin e jashtëm të Kosovës dhe me përgjegjësi të reja, ngritjen e strukturës mbrojtëse të Kosovës (FSK) dhe mbikëqyrjen e saj (NALT);
“Së këndejmi Serbia nuk ka gjasa ta sulmojë Kosovën! Porse Serbia mundet me instruktu struktura terroriste në Kosovë dhe me infiltru agjentë të Shërbimeve sekrete që të nxisin konflikt qytetar, brenda Kosovës. Veriu i Kosovës është çështje e sundimit të ligjit brenda shtetit kosovar dhe jo çështje konflikti ndërkombëtar” – tha Matoshi për Insajderin
Tutje, Matoshi shtoi se; “Kryeministri dhe Presidentja duhet të mbajnë kursin e paqes dhe dialogut, pavarësisht deklaratave fashiste të Aleksandar Vuçiq-it“.
Pyetjes se sa janë gjasat për një sulm real të Serbisë ndaj Kosovës për Gazetën Insajderi i është përgjigjur edhe Durim Abdullahu nga Departamenti i Historisë në Universitetin e Prishtinës, sipas të cilit për Veriun e Kosovës gjithmonë ka pasur luftë.
“Për veriun e Kosovës, lufta asnjëherë nuk ka përfunduar dhe ajo zonë gjithmonë ka mbetur më shumë në statusin e një konflikti të ngrirë. A mund të ketë luftë në Kosovë? Ka fare pak gjasa për një luftë klasike, por është shumë e mundur që të ketë një konflikt të armatosur i shoqëruar me luftë hibride. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, qysh kur ka qenë në opozitë ka folur me shqetësim për armatosjen e Serbisë, e cila po vazhdon edhe sot. Si kre i qeverisë, Kurti ka në dispozicion informacione nga strukturat e sigurisë dhe nga agjencione të vendeve aleate të cilat jodetyrimisht thuhen në publik, andaj deklarimet e tij besoj se janë mëse reale, madje të matura.
“Në Kosovë mund të ketë një konflikt të armatosur i nxitur nga Serbia për të ndryshuar situatën në terren para çfarëdo marrëveshje finale me Kosovën. Në 10 vitet e fundit, Kosova është rrezikuar disa herë nga mundësia e një konflikti të armatosur në veri të vendit dhe fakti që ende nuk ka ndodhur nuk paraqet siguri që nuk do të ndodhë në të ardhmen” – tha ai.
Derisa, Abdullahu shton se lufta në Ukrainë si dhe përshpejtimi i dialogut të Brukselit drejt një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, mund të krijojnë situate ku një konflikt i armatosur në Kosovë mund të jetë nga i mundshëm në i pashmangshëm.
“Lufta në Ukrainë, referimi ndaj Kosovës në deklarimet e Presidentit rus Vladimir Putin, bashkërendimi i tij me Presidentin serb Aleksandër Vuçiq që është kreu i të vetmit shtet europian që ka refuzuar të aplikojë sanksione ndaj Rusisë pas agresionit mbi Ukrainën, refuzimi i Vuçiqit për tu deklaruar me shkrim për mos-sulm ndaj Kosovës, armatosja e vazhdueshme e Serbisë, konsiderimi i Kosovës si pjesë e Serbisë, qëndrimet publike të NATO-s që KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë në rast se rrezikohet stabiliteti në Kosovë dhe vetë zhvillimet e dy viteve të fundit në veri të vendit, janë të dhëna të mjaftueshme lidhja e të cilave të bën të besosh që një konflikt i armatosur mund të ndodhë në Kosovë pavarësisht përpjekjes së Kosovës për ta shmangur apo pranisë së KFOR-it.
“Veçanërisht lufta në Ukrainë e cila mund t’i ndezë disa konflikte në Transnisri, Bosnje dhe Kosovë si dhe përshpejtimi i dialogut të Brukselit drejt një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, mund të krijojnë situate ku një konflikt i armatosur në Kosovë mund të jetë nga i mundshëm në i pashmangshëm” – përfundon Abdullahu.
Lidhur me deklaratat e kryeministrit Kurti ditë më parë kanë reaguar edhe partitë opozitare në vend.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku kishte shkruar se Kurti flet për luftë e jo për integrime apo investime. Derisa theksoi se Kosovës i duhet stabilitet dhe zhvillim, e jo mesazhe paralajmëruese për luftë.
“Kurti flet për luftë. Ky është lajmi i mediave ndërkombëtare për Kosovën sot. Jo për investime, jo për integrime, por për luftë në Kosovë. Kaq për mesazhin tonë nëpër botë. Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë”, u shpreh Abixhiku.
Ndërsa, në anën tjetër në një shkrim në Facebook, Memli Krasniqi ka thënë se Kurti po funksionon mbi imagjinata paranoike e me inate politike. Sipas tij, Kurti ka bllokuar buxhetin për qytetarët dhe komunat e Kosovës për investime kapitale, ndërsa nga ana tjetër flet për luftë.
Lideri i PDK-së konsideron se kryeministri Kurti dhe ministrat e tij duhet ta ndërrojnë këtë qasje.
“I humbur në rrëmujën e paaftësisë qeverisëse, pa plan e pa kompetencë, kryeministri Kurti në vend që të merret me përmirësimin e jetës së qytetarëve, për çka e kanë votuar, ai nga njëra anë po i bllokon të gjitha projektet e komunave, duke mos ua ndarë buxhetin e nevojshëm dhe nga ana tjetër po flet për luftë”, deklaroi Krasniqi.
Ndryshe, “Rreziku që të shpërthejë një konflikt i ri midis Kosovës dhe Serbisë është i lartë. Do të isha i papërgjegjshëm nëse do të thoja të kundërtën, mbi të gjitha pasi bota pa se çfarë bëri Rusia me Ukrainën” – ishte deklarata e Kurtit për “La Repubblica”.
/Gazeta Insajderi – Vanesa Zhugolli