Kryeministri Edi Rama zhvilloi bashkëbisedimin e radhës online me qytetarët.
Ai iu përgjigj pyetjeve dhe kritikave të ndjekësve përmes rrjetit social.
“A ke në mend me e lënë ndonjëherë pushtetin se ia kalove Enverit”, ishte pyetja drejtuar Ramës.
Kryeministri Edi Rama: Roland, ti thua a ke në mend ta lësh pushtetin. Për mua kjo pyetje tingëllon ndryshe, “A ke ndërmend ta lësh punën”. Këtë punë. Jo, nuk kam ndërmend ta lë për momentin përsa kohë ata që ma kanë dhënë do më kërkojnë që ta vazhdoj. Nëse do më thonë “Faleminderit ose …. sepse deri këtu ishim” atëherë do ta lë këtë punë, kuptove? Sepse kemi një kuptim pak të ndryshëm, pushteti dhe puna janë gjëra pak të ndryshme në tingëllim, dakord? Mua pushteti më duhet për të bërë këtë punë, dakord? Nuk e bëj këtë punë për pushtetin, që të jemi shumë të qartë bashkë.
– Mbete duke sharë gjithë jetën. A s’e kupton se ke dalë nga shinat e karakterit njerëzor? Me këtë komunikim banal ti nuk bind askënd, përkundrazi, bëhesh i neveritshëm, bëhesh kënetë.
Kryeministri Edi Rama: Po, kënetë. Po dhe nuk po shaj askënd. Nuk po i them askujt kriminel, nuk po i them askujt hajdut, drogaxhi, etj sepse kjo është të dalësh nga shinat e njerëzores por po përcaktoj një fakt dhe po e përshkruaj atë siç ma kanë mësuar mësuesit e mi të gjuhës shqipe. E di kush janë ? Im Zot Fan Noli, Faik bej Konica, At Gjergj Fishta. Nga ata e kam mësuar unë shqipen, i dashur Lekë Gjonaj kështu që të paktën At Gjergj Fishtën të sugjeroj ta lexosh që të shohësh se si edhe duke qenë prift, katolik, njeri i mëshirës kristiane nuk ia kursen dajakun e gjuhës shqipe atyre që duan dajak, por ama pa shkuar tek ofendimi personal, pa shkuar tek akuzat penale, pa kriminalizuar me gojë njerëzit duke qelbur të gjithë ajrin e përbashkët që thithim dhe duke ua nxirë shqiptarëve përditë e përditë kriminela, kriminela, hajdutë, hajdutë, kriminela, kuak-kuak-kuak. Kjo është këneta.