Në listë të zezë amerikane. I kërkuar nga drejtësia kosovare edhe për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, por edhe për rastin ‘Brezovica”. Çka ka bërë shteti i Kosovës që ta sjell Millan Radojiçiqin në Gjyq? Për këtë Insajderi ka folur me prokurorin që po e ndjek penalisht vrasjen e Oliver Ivanoviqit, por edhe me Ministrinë e Drejtësisë
Që pesë vite – që nga vrasja e Oliver Ivanoviçit, shteti i Kosovës ka dështuar të sjell para drejtësisë të dyshuarin, Milan Radojiçiqi. Ndonëse, Radojiçiq vazhdon të jetë i lirë, nga Ministria e Drejtësisë thonë se nuk kanë marrëveshje dypalëshe për ekstradim me Serbinë, rrjedhimisht nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të sjell para drejtësisë figurën kyqe të krimit të organizuar në veri të Kosovës.
“Republika e Kosovës nuk ka marrëveshje dypalëshe ekstradimi me Serbinë dhe as reciprocitet dhe bashkëpunim në fushën e ekstradimit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Gazetën Insajderi.
Përveç rastit të vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, Milan Radojiçiq është kërkuar nga shteti i Kosovës edhe për përfshirje në rastin “Brezovica”. Ai po kërkohet nga prokuroria si i dyshuar për frikësim dhe ndikim te dëshmitarët për rastin e ndërtimeve në Brezovicë.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar gjatë ditës edhe me prokurorin e rastit të Oliver Ivanoviq, Burim Çerkinin për ta pyetur nëse kanë bërë kërkesë nga Serbia për ndihmë të ndërsjellët për ekstradimin e Radojiçiqit, por sipas tij për rreth tre muaj është pezulluar çdo mundësi për ndihmë të ndërsjelltë.
“Çdo ndihmë që është kërkuar përmes Bashkimit Europian në organet e Serbisë është pezulluar, d.m.th nuk ka ndihmë të ndërsjellt”, ka thënë prokurori i rastit duke treguar se rasti është ende në proces.
Mungesa e bashkëpunimit ligjor mes Kosovës dhe Serbisë ka dëmtuar procesin e hetimit në rastin e Oliver Ivanoviqit.
Një rast i tillë është refuzimi i Serbisë për të lejuar Eulex’in t’i ofroj mbrojtje fizike një dëshmitare në rastin e Ivanoviqit.
Avokati mbrojtës i të akuzuares S.A Musa Damati ka treguar për Gazetën Insjaderin se si Serbia ka refuzuar bashkëpunimin juridik ndërkombëtarë përmes Eulexit rreth sjelljes për në Gjykatën Themelore të Prishtinës të një deshmitareje me inicialet M.P!
“Për dëshmitare M.P, është refuzuar nga ana e Serbisë për shkak të mungesës së bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë në aspektin juridik. Gjykata themelore në Prishtinë përmes rrugëve legale ka kërkuar përmes Eulexit sigurimin fizikisht të dëshmitares me qenë prezentë ajo në rastin e Oliver Ivanoviqit. E njëjta kërkesë është refuzuar me arsyetimin se ka mungesë të bashkëpunimit ligjor midis dy vendeve. Zonja P ka dëshmuar përmes video linkut, d.m.th ky është si rast”, ka thënë avokati i rastit të Oliver Ivanoviq”, thotë avokati Musa Damati.
Çfarë bisedoi Mimoza Kusari – Lila me Slavko Simiq për ndikim tek kryeministri dhe Ministria e Drejtësisë
Në përgjimin e publikuar dje nga “Nacionale” dëgjohet shefja e GP’ të VV’së Mimoza Kusari Lila duke biseduar me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq. Ky i fundit i thotë Kusarit që sipas tij, kjo i ka thënë se do të flas me kryeministrin dhe Ministrin e Drejtësisë për rastin e Milan Radojiçiqiqt
“Ti mu më ke thënë, ti mu më ke thënë që ki me folë me kryeministrin edhe që kryeministri ka me shiku se për çka bëhet fjalë, që ka me folë edhe me ministren e Drejtësisë edhe me ministrin e Punëve të Brendshme, a është qishtu?”, dëgjohet duke thënë Slavko
Nga kjo bisedë ngjallen dyshime se a ka ndërhyrë deputetja në rastin e Milan Radojiçqitit për lirimin e tij nga akuzat!
Milan Radojiçiq dhe shteti
Ndaj Milan Radojiçqiitk kishte një urdhër-arrest i cili ishte anuluar më 23 shkurt të vitit 2021. Kjo pa asnjë arsyetim, e as sqarim për publikun se si ndodhi.
Kurse, në fillim të shkurtit të këtij viti, Milan Radojiçiq kishte mësyrë Kosovën nga pika kufitare në Bërnjak. Pasi u ndalua nga Policia e Kosovës, ai e ktheu veturën dhe iku nga vendi i ngjarjes. Kamerat në atë kohë nuk po punonin, si rezultat disa policë u suspenduan. Por, ata pas pak ditësh sërish u kthyen në vendin e ngjarjes. Edhe një arratisje kjo e të fortit të veriut.
Më 5 korrik të vitit të kaluar, Radojiçiq ishte paraqitur me një video nga kodra në veri, ku ishte zotuar për mbrojtjen e serbëve.
“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, tha Radojçiq nga Leposaviqi.