×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    A po largohen masivisht përdoruesit nga X i Elon Musk?

    Insajderi
    23 November 2024 - 14:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qindra mijëra përdorues të pakënaqur thuhet se janë larguar nga X i Elon Musk, pas rizgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA-së, me rreth 115,000 llogari të çaktivizuara vetëm në shtetet amerikane një ditë pas votimit.

    Personat e famshëm dhe markat e njohura që braktisin platformën përmendin shqetësime në rritje për përhapjen e pakontrolluar të dezinformatave, teorive të konspiracionit dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe atë që ata e konsiderojnë të jetë roli i Musk në administratën e Trumpit.

    “X është një platformë toksike mediatike dhe pronari i saj, Elon Musk, ka qenë në gjendje të përdorë ndikimin e saj për të formësuar diskursin politik”, tha The Guardian në një deklaratë ku njoftonte largimin nga platforma.

    Por, përcaktimi i numrit të saktë të përdoruesve që largohen nga X është sfidues, pasi platforma nuk lëshon rregullisht të dhënat globale të përdoruesve.

    Sa njerëz janë në X dhe sa po largohen?

    Vlerësimet e bazës mujore globale të përdoruesve të X ndryshojnë shumë.

    Por, vlerësimet e përdorura nga agjencitë kërkimore dhe mediat e njohura të biznesit – vendosin numrin e përdoruesve në 611 milionë në prill të këtij viti, me një rënie prej 6% në 588 milionë deri në shtator.

    Ndërsa shumë ekspertë i kundërshtojnë këto shifra, ka pasur një prirje të rënies së numrit të përdoruesve në platformë që nga marrja e Musk në vitin 2022, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

    Bëhet e ditur se X është ligjërisht i detyruar të zbulojë numrat e tij të përdoruesve në BE sipas kërkesave të rregullores dixhitale të bllokut, Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA).

    Raportet tregojnë se numri mesatar i përdoruesve mujorë të BE-së ra nga 111.4 milionë në 106 milionë.

    Edhe pse nuk pasqyron numrat e përdoruesve në rajone të tjera të botës, është e vetmja e dhënë zyrtare e ofruar nga X që tregon një trend të rënies së përdoruesve.

    Edhe një analizë nga analistë të Financial Times sugjeron se numrat e përdoruesve X kanë rënë me pothuajse një të tretën në Mbretërinë e Bashkuar dhe pothuajse një të pestën në SHBA.

    Një vështrim më i afërt i të dhënave tregon se numri i përdoruesve ka rënë në 25 nga 27 shtetet anëtare të BE-së gjatë vitit të kaluar, me vetëm Gjermaninë dhe Finlandën që kanë parë një rritje në numra.

    Rënia e numrit të përdoruesve ka përkuar me një rënie në perspektivat financiare, me disa që vlerësojnë se kompania ka humbur 75% të vlerës së saj që kur u ble nga Musk.

    Ku po ‘migrojnë’ përdoruesit?

    Bluesky, një platformë e zhvilluar nga themeluesi i Twitter, Jack Dorsey, është një destinacion popullor për përdoruesit e X në emigrim.

    CEO Jay Graber zbuloi në fillim të kësaj jave se përdoruesit kishin arritur në 20 milionë pasi mesatarisht 1 milion përdorues të rinj në ditë iu bashkuan platformës gjatë një periudhe pesë-ditore.

    Siç raportohet, numri i përdoruesve të tij është trefishuar që nga fundi i gushtit.

    Por Threads i Meta, mbetet konkurrenti me përdoruesit më aktivë, të vlerësuar në rreth 275 milionë.

    Duke pasur parasysh afërsinë e tij me ndërfaqen origjinale të Twitter dhe theksin e tij në moderimin e përmbajtjes, Bluesky është konsideruar gjerësisht si kërcënimi më i madh për X.

    “Sigurisht që duket si një pikë kthese. Rritja e Bluesky gjatë dy viteve të fundit lidhet drejtpërdrejt me veprimet e Elon Musk”, tha David Karpf, profesor i asociuar në Shkollën e Medias dhe Marrëdhënieve Publike në Universitetin George Washington.

    Ai beson se përdorimi i platformës nga Musk për të nxitur fushatën e Donald Trump ka luajtur një rol të rëndësishëm në bindjen e më shumë përdoruesve që të largohen nga platforma.

    Ndryshe, Bluesky funksionon në mënyrë të pavarur për të siguruar që korporatat e mëdha të mos ndikojnë në vendimet e saj dhe përdoruesit janë në gjendje të zgjedhin dhe rregullojnë mirë algoritmin që vendos përmbajtjen ndaj të cilës ekspozohen.

    Megjithatë, ka shqetësime se nëse politika bëhet motivi për eksodin nga X në Bluesky, platformat mund të ndahen në dy dhoma të ndara përgjatë vijave politike dhe ideologjike.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark