Harta zonale e paraparë në plan 10-vjeçar ende nuk është miratuar nga ana e Komunës së Mitrovicës së Jugut. Kjo po ua pamundëson qytetarëve atje të sigurojnë leje ndërtimore. Ndonëse është vendosur dhe ri-vendosur në diskutim publik dy herë, ajo ende s’ka arritur të dërgohet në Kuvendin Komunal për votim.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me komunën me të cilën po udhëheq Bedri Hamza, kandidati i PDK’së për kryeministër për të marrë një version për të gjithë këtë. Nga Zyra për Informim i kanë thënë Insajderit se komuna s’e ka të miratuar hartën zonale komunale dhe se kanë mbetur në pëlqim përfundimtar nga Ministria e Infrastrukturës.
“Komuna e Mitrovicës së Jugut ende nuk e ka të miratuar Hartën Zonale Komunale. Jemi në fazën finale, ka mbetur vetëm pëlqimi përfundimtar nga MMPHI për ta dërguar për miratim në Kuvendin Komunal”, kanë deklaruar nga kjo zyrë në një përgjigje për Insajderin.
Tutje ata kanë pretenduar se Departamenti për Planifikim Hapësinor në MMPHI ka zvarritur procesin e shqyrtimit të kësaj projekt-harte zonale.
“Zvarritje nga Departamenti për Planifikim Hapsinor pran MMPHI ka pasur, ndoshta nga volume i madhë i lëndëve që i shqyrtojnë, ndëra zvarritje, bllokad për arsye politike nuk e di”, thuhet tutje në përgjigjen e Zyrës për Informim.
Për akuzat për zvarritje të shqyrtimit të hartës zonale Insajderi iu është drejtuar MMPHI-së me pyetje. Të njëjtit s’kanë pranuar të komentojnë deklaratën e komunës, ndonëse kanë thënë se ministria ka kërkuar ndryshime dhe plotësime në të.
“Komuna e Mitrovicës së Jugut është në procedurë të hartimit të Projekt-Harta Zonale e Komunës së Mitrovicës së Jugut, sipas legjislacionit në fuqi. Ministria respektivisht MMPHI në bazë të përgjegjësive ka vlerësuar Projekt-Harta Zonale e Komunës së Mitrovicës së Jugut , dhe ka kërkuar nga autoriteti përgjegjës komunal për planifikim dhe menaxhim hapësinor ndryshime dhe plotësime duke u bazuar në Ligjin NR. 04/L-174 Për Planifikimin hapësinor dhe Udhëzimeve Administrative në fuqi”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Bazuar në publikimet në uebfaqe, aty shihet se draft-harta zonale është hedhur disa herë në diskutim publik nëpër data të ndryshme. E fundit është ajo e 31 janarit të këtij viti.
Tek Gazeta Insajderi kanë sinjalizuar qytetarë duke adresuar shqetësimet që po i shkakton zvarritja e mos-miratimit të hartës zonale. Kjo po ua pamundëson atyre mos-dhënien e lejeve ndërtimore në disa zona të caktuara. /Insajderi.org/