A po shkon vendi drejt zgjedhjeve të reja? – Flasin nga LDK, PDK e AAK – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    A po shkon vendi drejt zgjedhjeve të reja? – Flasin nga LDK, PDK e AAK

    Insajderi
    05 July 2023 - 16:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zgjedhjet e reja po shihen si opsioni i vetëm, dhe më i duhuri për ta larguar Kurtin nga pushteti, gjegjësisht për ta dërguar në shtëpi. Deputetë të opozitës, deklaruan për Insajderin se qeverisja e dobët, në veçanti prishja e raporteve me ndërkombëtarët, nuk lë zgjidhje tjetër për vend, përveç shkuarjes në zgjedhje.

    Përderisa nga LDK pranojnë se nuk kanë numrat për mocion mosbesimi, nga AAK thonë së mocioni i tyre nuk po gjenë përkrahje.

    Ndërkohë nga PDK, janë shprehur se Kurti nuk e ka gjatë, brenda vitit do të bie qeveria e tij.

    Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka deklaruar se Kurti nuk po lë rrugë tjetër veçse për ta dërguar në shtëpi.

    Rrezarta Krasniqi – LDK

    Ideja për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, në parim është zgjidhje jo e duhur sepse siç e dini ka kosto bukur të lartë financiari organizimi i tyre dhe ka ndikim negativ në mirëqenien e qytetarëve, sepse ato nënkuptojnë edhe humbje të kohës dhe shtyrje të projekteve që janë në interes të qytetarëve, pra shikuar nga ky kënd, qytetarët janë më së shumti të dëmtuar. Por, duke parë qasjen e gabuar të kësaj qeverie dhe acarimin e raporteve me SHBA-të dhe BE-në, që për pasojë tanimë vetëm se kanë nisur sanksionet ndaj vendit, nuk ka lënë rrugë tjetër veç se për ta dërguar në shtëpi dhe rikthimin e legjitimitetit tek qytetarët”, ka thënë Krasniqi për Insajderi.

    Sipas saj, “Albin Kurti ka hyrë në aventura të rrezikshme, gjë që e rrezikon edhe stabilitetin e vendit, prandaj edhe duhet të ndalet”.

    E pyetur për çështjen e ngritjes së mocionit për rrëzim të qeverisë, ajo konfirmoi se opozita nuk i ka numrat.

    “…ndërsa për sa i përket çështjes së mocionit, ju e dini se opozita nuk i ka numrat e nevojshëm për të ngritur mocion mosbesimi dhe për ta dërguar në shtëpi z. Kurti”.

    Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj thekson se Kosova prej që është nën pushtet të Qeverisë Kurti nuk qëndron mirë në funksionim dhe udhëheqje.

    Pal Lekaj – AAK

    Kosova po përballet vazhdimisht me sfida”, ka pohuar Lekaj.

    Lekaj përmendi një sërë të këqijash që sipas tij kjo qeveri po i sjell Kosovës.

    “Në aspektin e jashtëm, kemi humbje të fuqisë së shtetit, kemi prishje të raporteve me aleatët dhe miqtë ndërkombëtar, kemi masa ndëshkimore, ndërsa nuk kemi njohje të reja, nuk kemi fuqi dhe shtrirje sovraniteti në tërë vendin, nuk kemi fonde dhe mbështetje të projekteve ndërkombëtare”, ka thënë ai për Insajderin.

    Duke marrë për bazë këtë kritikë të AAK-së ndaj pushtetit, Lekaj sqaroi se kanë nisur me iniciativën për rrëzim të qeverisë.

    Mbi këto dy arsyetime ne si AAK kemi ngritur mocionin për rrëzimin e Qeverisë, dhe i cili mocion nuk po gjen përkrahje tani e sa kohë. Mendojmë që Qeveria ka gabuar në vazhdimësi dhe nuk ka pasur performancë dhe suksese në qeverisjen e vendit. Prandaj, ndoshta zgjedhjet e reja do të ishin një mundësi apo shancë e re e qeverisjes ndryshe në të mirë institucioneve dhe shtetit të Kosovës”, deklaroi ai.

    Në anën tjetër, për të dalë nga “aventura e rrezikshme”, e Kurtit, deputetja e LDK-së, Krasniqi ka sqaruar se tashmë kryetari i partisë ka nisur një iniciativë.

    “Siç jeni në dijeni tashmë kryetari Lumir Abdixhiku, ka nisur një iniciativë të re, sot kishte takim me përfaqësues të mediave dhe opinonistë, ditëve në vazhdim do të ketë edhe takime tjera, në mënyrë që të gjendet një rrugë për të ndalur të keqen që po i bëhet vendit…”, u shpreh ajo për Insajderin.

    Në anën tjetër, që Qeveria Kurti do të bie, është shprehur e bindur deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

    Musliu ka thënë se edhe deputetë tjerë që janë pjesë e LVV-së do të largohen nga partia e Kurtit.  

    Ganimete Musliu – PDK

    Ajo ka potencuar se PDK është e gatshme për zgjedhje të reja.

    Vendi ynë po shkon drejt zgjedhjeve. A do ndodhin nesër, pasnesër apo tetor? Mbetet pikëpyetje e madhe. Me mënyrën se si po qeverisë Kryeministri Kurti  apo po keqqeverisë Kurti, Viti i ri nuk e pret këtë qeveri. PDK është e gatshme të shkojë në zgjedhje qysh sonte. Arroganca e numrave nuk do mund të mbajë Kosovën peng tek një demagogë si Albin Kurti”, ka thënë deputetja.

    Ju e dini që tre deputetë i janë larguar partisë në pushtet. Në ditët në vijim do shohin edhe deputetë të tjerë që do largohen. Dhe s’do të ketë më fuqi të vendimmarrjes as në forume të tjera në Kuvendit, në seancë e komisione parlamentare”, ka deklaruar ajo në njërën nga paraqitjet e saj televizive.

    Gazeta ka provuar të marrë një deklaratë nga disa prej deputetë të partisë në pushtet, por të njëjtit deri tani nuk kanë kthyer përgjigje.

    /GazetaInsajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark