Shndërrimi i dhunuesve potencialë në protagonistë duket se është specialiteti i Olsa Muhametit, ish-producentes së “Përputhen” dhe aktualisht producente e “Big Brother VIP Kosova 3”. Spektakli i datës 1 nëntor shënoi një pikë kthese tronditëse, ndërsa shikueshmëria thyeu rekorde dhe irritimi i masës u ngrit në nivele alarmante. Në të njëjtën natë, protestuesit shfaqën revolten e tyre me grafite, e të nesërmen ndërtesa e Klan Kosovës u sulmua me mjete piroteknike.
Donjeta Islami
Gjithçka nisi pasi producentë e “Big Brother VIP Kosova 3” vendosën të fusin si banor ish-bashkëshortin e konkurrentes Drenusha Latifi, Atilla Kardesh të cilin ajo e kishte denoncuar për dhunë në familje.
Ky vendim provokoi kërkesa të shumta për mbylljen e formatit, që nga institucionet e deri te publiku.
Dyshimet u shtuan më tej kur spekulime të ndryshme sugjeruan se Drenusha mund të ishte në dijeni për këtë vendim dhe se mund t’i ishte ofruar një shpërblim për ta pranuar. Megjithatë, asgjë nuk e justifikon ofrimin e një platforme publike një personi të akuzuar për dhunë fizike ndaj gruas së tij.
Gjatë transmetimit, moderatori e mbështeti vendimin duke thënë se “edhe ai ka të drejtë ta japë variantin e tij”, (të cilin veçse e kishte dhënë muaj më parë) ndërsa publiku përjetoi një përballje që dukej më shumë si provokim sesa si diskutim mbi dhunën në familje.
Drenusha gjeti përkrahje publike kur tetë muaj më parë guxoi të fliste për dhunën që kishte përjetuar, duke publikuar fotografi të trupit të mavijosur.
Por tani, komente të ndryshme në rrjete sociale sugjerojnë se perceptimi i publikut ka nisur të lëkundet – Atilla Kardesh nuk po duket më si dhunues në sytë e disa ndjekësve. Pikëpyetje të shumta janë ngritur….
Kjo kthesë duket e orkestruar me kujdes nga skenaristja Olsa Muhameti, e cila ka gjetur një mënyrë të veçantë për të kthyer viktimat dhe agresorët në subjekte klikueshmërie dhe spekulimi.
Në një bisedë me Gazetën Insajderi, avokatja e Drenusha Latifit konfirmoi se janë të hapura tri procedura gjyqësore kundër ish-bashkëshortit të saj – dy për shkelje të masës së urdhrit mbrojtës dhe një për besimin e fëmijëve.
Ndërkohë, prodhuesit e programit përpiqen të arsyetojnë praninë e Kardeshit në shtëpinë e “Big Brother” me frazën “i ka skaduar urdhri mbrojtës”. A mjafton kjo për të shlyer traumën e një gruaje të dhunuar brutalisht?
Rasti tjetër skandaloz në “Përputhen” – Përballja e një gruaje me ish të dashurin dhunues
Kjo nuk është hera e parë që Olsa Muhameti përfshin ish-partnerë në formate televizive, duke ndërtuar skenarë ku viktimat janë gratë.
Në vitin 2021, teksa drejtonte programin “Përputhen”, ajo denigroi publikisht një tjetër grua – Alvisa Qarri, e cila ishte pjesë e kastit. Në kohën kur ajo po fillonte një marrëdhënie të re me një konkurrent, Olsa vendosi të fuste në program ish-të dashurin e saj, Hysen Ramën.
Për disa javë, programi mori drejtim dramatik, përfshirë një përballje publike të Ramës dhe një akuza të rënda ndaj Alvisës për “tradhti”.
Në një episod, ai madje lëshoi një incizim audio, një veprim që përbën shkelje të kodit penal të Republikës së Shqipërisë dhe mund të dënohet me dy vjet burg.
Drama u përshkallëzua kur Alvisa, me lot në sy, dëshmoi për abuzimin fizik dhe psikologjik që kishte përjetuar nga ish-partneri. “Kam shenja në trup nga çka më ka bërë,” deklaroi ajo.
Megjithatë, në vend të mbështetjes, ajo u përball me dyshime dhe indiferencë, ndërsa opinionistët e programit e cilësuan dëshminë e saj si një “armë viktimizimi”.
A po bëhet abuzimi ndaj grave një skenar tërheqës për audiencën dhe një burim klikimesh?
Ndërsa klikimet shtohen dhe emisionet thellojnë pasionin për skena dramatike, mbetet pyetja thelbësore: a po dobësohet kauza e grave? Kush duhet të dëgjohet dhe besuar në këtë luftë të vështirë për drejtësi?
/GazetaInsajderi