Në media ka patur raportime se kryeministri Edi Rama po synon të zgjidhet sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Një prej posteve më të rëndësishme në rang ndërkombëtar, pasi flitet për organizatën më të madhe dhe më të fortë ushtarake në botë.
Nga ana e kryeministrit nuk ka patur asnjëherë reagim lidhur me ambicien për një gjë të tillë, edhe pse kreu i qeverisë ka intensifikuar takimet jashtë vendit.
Së fundmi ai u takua me Henry Kissinger, një prej figurave më të njohura në botë, i cili ka mbajtur disa poste të rëndësishme në SHBA. Gjithashtu, kryeministri u takua edhe me shumë të atakuarin në Shqipëri, manjatin George Soros.
Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, kryeministri Edi Rama zhvilloi edhe një vizitë në Akademinë Ushtarake “West Point” në Nju-Jork, ku mbajti një fjalim të shkurtër para qindra studentëve.
Nga studio e emisionin “Breaking” në Top News, analisti Artur Zheji tha se kjo do ishte një arritje e madhe për Shqipërinë, por nuk beson se Rama e synon atë post.
“Pse të mos e bëjë. Nëse kupola e madhe vendos se një shqiptar do zgjidhjet sekretar i përgjithshëm, pse jo. Por nuk e ha atë Rama. Nuk ikën nga Shqipëria ai. Këtu i ka rrënjët. Nuk do që ti thahen rrënjët, ku i ka ngulur fort”, tha Artur Zheji.
Gjithsesi, poste të tilla, edhe pse duket të paarritshme për zyrtarët shqiptarë, nuk janë të pamundura. Kryeministri Edi Rama ka mbajtur edhe detyrën e kreut të OSBE, ndërsa zhvilloi edhe disa takime në Moskë dhe Krime, në tentativë për të zgjidhur konfliktin, të cilin nuk e ka zgjidhur dot as Perëndimi.
Vizitat e shpeshta në Ankara dhe Athinë, hodhen hamendësime se kryeministri Edi Rama po luan rolin e ndërmjetësuesit edhe në konfliktin mes Turqisë dhe Greqisë.
Gazeta gjermane “Bild”, shkruante asokohe se Merkel e ka inkurajuar kreun e qeverisë për përpjekjet e tij për të ulur në tryezë palët.
“Kancelarja e inkurajoi personalisht atë. Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë, të përpiqet të bashkojë krerët të Turqisë dhe Greqisë rreth një tryeze“, shkruante Bild.
Por, a po synon vërtetë Edi Rama postin e lartë? Koha do ta tregojë, ndërsa mandati i sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, po shkon drejt fundit/Gazeta SHQIP