Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, sipas sinjalizuesve dyshohet se ka kurdisur një konkurs për “Zyrtar i Lartë për Monitorim të Komunave”. Në testin me shkrim sipas rezultateve të publikuara këtë fazë e kanë kaluar Maltin Shala dhe Donjeta Cakolli. Por, që sipas sinjalizuesve të Gazetës Insajderi dy kandidatëve i ishin dërguar pyetjet paraprakisht. Lidhur me këtë MAPL tha se nuk qëndrojnë këto pretendime.
Gazeta Insajederi
Me 21.06.2024, MAPL ka publikuar rezultatet për konkursin “Zyrtar i Lartë për Monitorimin e Komunave” për “Pranim në Shërbim Civil”.
Sipas këtyre rezultateve testin me shkrim e kanë kaluar Donjeta Cakolli dhe Maltin Shala.
Por, që për këtë sinjalizues të Gazetës Insajderi kanë ngre alarmin se pyetjet janë shpërndarë dy aplikuesve, para se të hyjnë në test.
Gazeta Insajderi ka siguruar edhe testin në fjalë në të cilin janë të shkruar dy emrat e personave që kaluan testimin.
Ndërsa me 2 korrik u publikuan rezultatet përfundimtare, ku edhe u vulos pranimi në punë i këtyre dy personave.
MAPL mohon se është kurdisur konkursi
Lidhur me dyshimet se pyetjet për këtë konkurs janë shpërndarë, Gazeta Insajderi ka pyetur edhe ministrinë, të njëjtit thanë se këto pretendime nuk qëndrojnë.
Sipas tyre testi ku shkruan emri i dy kandidatëve, është shkruar në mënyrë që të mbahet mend nga komisioni gjatë intervistimit.
“Ministria ka hapur konkursin për pozitën e lartcekur, në të cilën kanë aplikuar gjithsejtë 53 kandidatë. Pas verifikimit paraprak këtë fazë e kanë kaluar 15 kandidatë, të cilët edhe janë ftuar në testin me shkrim. Nga 15 kandidat të ftuar për testim me shkrim, vetëm 5 kandidat kanë marrë pjesë në testim, ku prej tyre 2 kandidat kanë kaluar testin, dhe njëkohësisht të drejtën për tu ftuar në intervistën me gojë.
Pas intervistës me gojë, këta dy kandidat janë shpallur fitues. Lidhur me pretendimin tuaj se keni siguruar testin, ju njoftoj se kjo nuk qëndron, pasi testimi është bërë on-line, përmes sistemit elektronik. Ndërsa, fotografia te cilën ju e keni bashkangjitur, janë pyetjet të cilat komisioni i ka përgatitur për intervistën me gojë, e të cilat i ka pasur vetëm komisioni”, thuhet në përgjigje.
Tutje, në sqarimin e tyre thuhet se i gjithë procesi ka qenë transparent dhe pa shkelje.
“Në foto shihet emri i anëtarit të komisionit, i cili me qëllim që gjatë intervistimit të i’u drejtohet kandidatëve me emër, ka shënuar emrat e dy kandidatëve në fletë. I gjithë procesi ka qenë transparent, nuk ka të bëjë me asnjë shkelje apo kurdisje të konkursit. Tani jemi në fazën kur të gjithë aplikantët kanë të drejt ankese në rast të ndonjë parregullsie, dhe deri më tani ne nuk kemi asnjë ankesë të pranuar“, thanë nga MAPL.