Kastriot Ramadani dhe Dukagjin Nikollaj ishin të parët që kishin nxjerrë armën për ta qëlluar Andi Pajazitin në Bon Vivant, ku mbetën dhjetëra të plagosur si pasojë e të shtënave me armë. Në përleshje fizike pas këtij veprimi u përfshi i arratisuri Dukagjin Nikollaj me Pajazitin. Derisa po rraheshin mes vete, tashmë i ndjeri Ramadani kishte goditur me shishe qelqi në kokë disa herë “Andi Italianin”, kur ky i fundit më pas me armë zjarri i ka shkaktuar Ramadanit plagë vdekjeprurëse.
Kështu ka mësuar Gazeta Insajderi nga burime përbrenda Prokurorisë. Sipas versionit të Prokurorisë, Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti po qëndronin në afërsi të tavolinës ku ishin ulur Nikollaj dhe Ramadani. Kur kishte vërejtur një gjë të tillë, tashmë i ndjeri kishte nxjerrë armën për ta sulmuar Pajazitin.
“…në lokalin e lartëcekur ishin të ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani si dhe një person tjetër deri me tani i pa identifikuar, në lokalin e lartë cekur kanë ardhur të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti dhe kanë qëndruar në këmbë në afërsi të tavolinës ku ishin të ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj i cili gjendet në arrati dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani, në atë moment më të vërejtur se në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti, në atë moment, atëherë i ndjeri Kastriot Ramadani e ka nxjerr armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj i cili gjendet në arrati, e ka nxjerr armën e zjarrit nga një çantë e dorës”, njofton burimi për Insajderin.
Sipas këtij burimi, pas kësaj kanë filluar shkëmbimet me armë zjarri mes dy grupeve.
“ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht fillimisht Andi Pajaziti me të pandehurin Dukagjin Nikollaj, më pas i ndjeri Kastriot Ramadani e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë të pandehurin Andi Pajazitin, në atë moment i pandehuri Andi Pajaziti nxjerr armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të tani të ndjerit Kastriot Ramadanit, kurse i pandehuri Dukagjin shkrep me armë të zjarrit në drjtim të të pandehurit Andi Pajaziti, si dhe i ndjeri Kastriot Ramadani po ashtu shkrep me armë zjarri në drejtim të të pandehurit Andi Pajaziti”, thuhet në versionin e Prokurorisë, sipas burimit të Insajderit.
Si pasojë e “qerimit të hesapeve” në kafiterinë e Bon Vivantit, kanë mbetur të plagosur 17 persona. Kastriot Ramadani, I përfshirë në konflikt, ka ndërruar jetë në QKUK pas plagëve të marra.
Dukagjin Nikollaj gjendet ende në arrati. /Insajderi.org/