Arrestimi i ish-Presidentit Ilir Meta ka ngritur pikëpyetje të shumta për vetë faktin që u kthye në një nga ngjarjet më të filmuara nga çdo kënd i mundshëm.
Por, misteri që kishte mbuluar deri më tani këtë ngjarje të regjistruar në një nga akset më të rrëmujshme, pranë Casa Italias ishte: ku ishte vendosur kamera që filmoi të gjithë aksionin që në nisje të tij?
Dhe tezat kanë nisur të qarkullojnë. Një prej tyre është hotel “Mercure”. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ky hotel rezulton se me emrin tregtar “Tirana Entry” është në pronësi të dy biznesmenëve, Kujtim dhe Ili Shtufi. Por, statusin në QKB, për momentin e ka të “çaktivizuar”.
Ky version ka dalë nga një prej punonjësve të hotel “Mercure”.
“Përshëndetje JOQ, jam një punonjës i hotelit te Ilir Shtufit i cili është te Mbikalimi i Kamzës. Ditën e arrestimit të Ilir Metës që në mëngjes nga ora 6, në ambientet e hotelit ka ardhur policia me agjent civil, ku kanë kontrolluar hotelin dhe te njera nga dhomat që shikon nga rruga ka qëndruar një burrë, i cili ka filmuar arrestimin e Metës. Ajo dhomë ka kamera nga sipër. Në hotel ka ardhur dhe ministri i Brendshëm, ku kanë diskutuar ku do të vendoset kamera. Neve na nxorën përjashta dhe nga menaxherët jemi kërcënuar që nëse del informacioni, do na heqin nga puna. E gjitha ka qenë e organizuar dhe policët kanë ndenjur mbi 6 orë në ambientet e hotelit,”- thuhet në mesazh.