Aleanca për Ardhmërinë e Kosova është kërcënuar nga Ministri i Bujqësisë, Faton Peci me largim nga objekti i selisë, që ndodhet në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Është në pikëpyetje nëse ministria do t’ia mundësojë vazhdimin e qëndrimit AAK-së edhe pas 2023, kur edhe pritet t’i skadojë afati i kontratës. Kjo sepse ministrit nuk po iu duket i volitshëm çmimi prej 2 euro për metër katror.
“E ka një kontratë (AAK) të nënshkrume në 2018 deri me 2023, në 2023 shohim e bëjmë. Me 2 euro nuk ka me qendru për metrin katror në Ulpianë”, ka thënë Peci në një debat televiziv.
Edhe në ditën kur denoncoi ndërtimet pa leje në Stankaj të Pejës e përmendi edhe objektin e AAK-së në Ulpianë, denoncimit ia bashkëngjit edhe fotografitë.
Për këtë deklaratë, në InDoks ka folur zëdhënësi i partisë së Ramush Haradinajt, Lulëzim Blaka.
“Deklaratat e ministrit Peci i cili thotë se AAK nuk paguan më tepër se 2 euro për qira të objektit dhe se ka borxhe në pagesë të qeras nuk qëndrojnë për dy arsye, e para, është se ne pagesat i bëjmë 3 muaj përpara, e keni me pa rastin edhe me i pa faturat që janë të paguara deri në fund të tij viti E dyta, AAK nuk e shfrytëzon objektin në tërësi, këtu janë 3 kate, ne e shfrytëzojmë pjesërisht katin e 1 edhe e shfrytëzojmë katin e 2, në katin e parë është edhe njësi banimi për të cilin ne nuk jemi të obliguar me pagu qira ndërsa kati i 3 I takon AKP, Agjencisë për Kadastër të cilin e shfrytëzojnë për dokumentacion, të cilin mund ti merrni pamjet tani”, tha Blaka.
I pyetur se a i cilëson AAK si sulme politike deklaratat e Pecit, Blaka tha se ministri ka 1 vit që po merret me partinë e tyre.
“Unë nuk e di se çfarë motivi mund ta këta ministri Peci me qenë kundër AAK-së, mirëpo ka 1 vit që ka filluar me këto deklarata ne i jemi kundërpërgjigje me letra e dokumente që normal edhe ai ka mujt me i verifiku prej zyrtarëve të ministrisë së tij, vërtetësinë e komplet kësaj që e thashë unë siç ka thënë edhe z.Haradinaj janë njerëz të retardum edhe nuk marrin vesh shqip, as nuk lexojnë kurgjo. Deklaratat e fundit të ministrit nuk kanë qenë direkt për neve, kanë qenë për disa objekte që janë ngjitur me AAK-në por në pamje u shihke edhe AAK dhe u interpretu se gjoja ka problem me neve, mirëpo ne e kemi deri në prill kontratën 2023, mandej e zbatojmë ligjin nëse nuk na vazhdohet kontrata objekte ka boll”, ka thënë ai për InDoks.
Ndryshe nga ministri po mendon drejtori Geci, ai po thotë se çmimi prej 2.5 euro nuk mund të cilësohet i lirë.
“Edhe AAK paguan me rregull. 2.50 euro gjysmë. A është lirë? Jo nuk është lirë. A e dinë pse nuk është lirë, për dy arsye, 1) për arsye se të gjitha këto prona të tjetërsimi bëhet kur Institutit Bujqësor i Kosovës nuk ka pasur qasje në të, nuk ka pasur mundësi me pasë qasje në të dhe nuk i ka lëshu me qira edhe qëllimi jonë ka qenë për me siguru. Mi legalizu realisht pronën, me vlerësu që është e IBK-se dhe me garantu që prona e Institutit dhe nuk është lirë për arsye se Ministria e Bujqësisë nuk ka investu fare në atë objekt”, ka thënë ai.
Sipas drejtorit, Ministria ska bërë kurrfarë investimi në këto prona, që në njëfarë mënyre të përzihet tek çmimi.
InDoks | Dosja Stankaj – Dokumentar ekskluziv për tjetërsimin e tokave të shtetit