Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, e ka quajtur të papranueshme dhe të jashtëligjshëm propozimin që transformimi i FSK-së të futet në një pako me Demarkacionin dhe Asociacionin.
Ai ka thënë se është kundër këtij propozimi dhe e vetmja zgjidhje sipas tij janë zgjedhjet.
“Qeveria e Kosovës nuk ka mandat që për çështjen e Ushtrisë të bëjë koncesione me Listën Serbe. Futja e tyre në një pako apo ujdia me Listën Serbe për t’i kaluar këto tri tema për AAK-në janë të papranueshme. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka qëndrimin e saj për këto tri tema”, ka thënë Lekaj.
Lekaj ka shtuar se ushtria duhet të bëhet sa më shpejtë dhe se për këtë e ka mbëtshtetjen e Grupit Parlamentar të Aleancës.
“Marrëveshja për demarkacionin duhet të kthehet në pikën zero dhe t’i hapet rrugë negocimit të një marrëveshje të re nga një komision i papolitizuar me ekspertet më të mirë të vendit. Për Asociacionin e ka thënë fjalën e vet Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar Lekaj në Facebook.