AAK – kryeministrit: Gjeni bosët e kazinove, mos përhapni mjegull – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    AAK – kryeministrit: Gjeni bosët e kazinove, mos përhapni mjegull

    Insajderi
    27 November 2016 - 18:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës që të gjejë bosët e kazinove, reketit dhe ryshfetit, që ai pretendon se disa prej tyre i përkasin partisë së Ramush Haradinajt.

    Reagimi i AAK-së erdhi pas akuzave të kryeministrit Mustafa i cili sot i quajti “banditë dhe bosë të reketit e kazinove”, zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    “Isa Mustafa, nëse jeni kryeministër gjeni bosët e kazinove, reketit e ryshfetit e mos përhapni mjegull”, shkruan në reagimin e AAK-së.

    AAK ka kërkuar nga kreu i LDK-së të heqë frikën dhe të tregojë emrat e banditëve dhge bosëve të krimit në Kosovë.

    “Mos u tutni kryeministër po nxjerrni në shesh edhe banditët edhe kasinot. Mos e përdorni logjikën e strucit, ose të skuthit “me gjujt gurin e me e fsheh dorën”! Ju jeni kryeministër dhe duhet t’i nxjerrni në shesh banditët, vetëm nëse nuk jeni edhe vet njëri prej tyre. Prandaj kryeministër mos përhapni tym e mjegull, sepse nuk e keni më aparatin e Rrahman Morinës me ju mbrojt. Të dhënat për punësimin i keni rrena. Këtë nuk po ua thotë vetëm AAK, por edhe ata qindra mijëra njerëz të papunë, të cilët nuk mund t’i mashtroni më. Prandaj s’keni pse kceni si zorra n’prush”, thuhet më tej në reagim.

    AAK i ka kërkuar nga Isa Mustafa të flas edhe për 70 dosjet e deponuara në prokurori për kohën sa ishte Kryetar i Komunës së Prishtinës.

    “Meqë ra fjala Kryeministër, pse po merreni me tym e me mjegull e nuk po flisni për qato 70 dosje që i ke në prokurori, për vete, për miqtë e për djemt e tu. Bëni diçka të hajrit në jetën tuaj. Nisjani nga oborri i juaj!”, thuhet në fund të deklaratës.

    “Atë që nuk ka guxim ta thotë Isa Mustafa me zë, sepse e di që është gënjeshtër, ia plotësojnë mediat e tij, nga se ato janë mësuar të gënjejnë. Paska folur për bosët e kazinove, të reketit e të ryshfetit, por s’paska pasur guxim të thotë kush janë dhe të kujt janë, sepse ai e di që i ka në shpi, por ja që media e tij u paska gjetur adresë, e kryeministrit do t’i ketë pëlqyer prandaj nuk e ka përgënjeshtruar”, ka shkruar Mustafa në reagim.

    Akuzat ndërmjet Isa Mustafës e AAK-së, nisën kur kryeministri shkroi një status në Facebook duke thënë se papunësia në Kosovë është ulur në normën 22 për qind.

    Ndaj kësaj deklarate reagoi Avni Arifi, këshilltari i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se “me të tilla deklarata Isa Mustafa po bëhet Shef i Makinerisë së Rrenave”. Pas kësaj akuze, Isa Mustafa i quajti “banditë e bosë të kazinove e reketit” zyrtarët e Aleancës. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark