Propozimi i kryeministrit Isa Mustafa për formimin e një komisioni i cili do të bënte vlerësimin e territorit të Kosovës, është kundërshtuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Përmes një komunikate për media, AAK ka ka thënë se komisioni i propozuar nga Mustafa vetëm se do të legjitimonte qëndrimin e qeverisë se Kosova nuk ka humbur territor me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
“Përpjekja e radhës e Kryeministrit Mustafa për të krijuar një komision gjeodetësh të tij, i cili do ta legjitimonte teorinë e tij se Kosova nuk ka humbur territor duke zbritur kufiri nga Cakorri në Kuqishtë dhe nga Kulla në Savino Vodë, është mashtrim ordiner dhe jo përgjegjësi prej burrështetasi që për qëllim ka ta zgjidh një çështje jetike për vendin në të cilin, ai e bart postin e kryeministrit”, ka thënë AAK.
“Nuk mund të behët asnjë komision pa u shkarkuar Komisioni „Meha“. Nëse ai paska vullnet për ta zgjidhur këtë çështje, së pari duhet ta pranojë dështimin e marrëveshjes për kufirin dhe më pastaj të krijojë një komision që ë trajton këtë çështje nga e para, e jo do farë komisionesh që as nuk dihet çka janë, as çfarë kompetencash kanë, por që për detyrë kanë ta legjitimojnë një marrëveshje që është në kundërshtim me terësinë tokësore të Shtetit të Kosovës”, thuhet në reagim.
Kryeministri Mustafa propozoi krijimin e këtij komisioni pasi që sic u shpreh, Kosova rrezikon të mos fitojë të drejtën e udhëtimit pa viza as në vitin 2017 për shkak të dështimi të ratifikimit të demarkacionit./Insajderi.com