
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për keqpërdorim të postit të tij, duke zhvilluar takime me deputetë të partive jo shumicë brenda zyrave të Qeverisë, shkruan Insajderi.
Sipas AAK-së, këto takime janë përdorur për aranzhime politike dhe jo për qeverisjen e shtetit.
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka thënë se zyra e Kryeministrit është një institucion shtetëror dhe jo një mjet për pazare politike.
“Kryeministër në detyrë, takimet me komunitete mbaji në zyrë të partisë. Kryeministria nuk është pazar, asnjë parti e as individ nuk është mbi shtetin. Zyra e Kryeministrit është për me qeverisë shtetin, e ke zyrën e partisë për koalicione.”, deklaroi ai.
Theksojmë se jo të gjithë deputetët e zgjedhur të komuniteteve joshumicë kanë konfirmuar votën për Kurtin.