Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mohon zërat se ky subjekt ka një marrëveshje me PDK’në për një koalicion paraprak.
Nënkryetari i AAK-së Gazmend Abrashi thotë se Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk i duhet koalicion paraprak me partitë në pushtet, pasi që sipas tij, çdo ditë e më shumë po gjënë mbështetje nga qytetarët.
“Energjitë tona, puna jonë, angazhimi dhe vizioni ynë është në funksion të rritjes dhe fuqizimit të AAK-së. Orientimi ynë politik asnjëherë nuk do të jetë në shërbim të matematikave që dëmtojnë të ardhmen e vendit dhe shkojnë në shërbim të interesave të ngushta partiake për pushtet”, tha Abrashi.
Sipas tij, përtej çdo lloj sondazhi dhe vlerësimit të analistëve, gjendja në terren dëshmon për një rritje drastike të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Tash kur vërehet kjo rritje e AAK-së, dalin zëra të qëllimshëm kinse ne kemi arritur marrëveshje paraprake për koalicion me PDK-në . Kjo bëhet për ta zbehur rritjen tonë në terren. E vërteta është se ne kemi koalicion parazgjedhor vetëm me NISMA-n dhe se gjithçka që flitet përtej kësaj është e pa qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e tij.
Abrashi thotë se ata hyjnë në këto zgjedhje që të dalim të parët. Pra sipas tij, vetëm në këtë rast do të vendosin se më kë do të bëjnë koalicion, duke u bazuar në përputhshmëritë programore dhe objektivat e përbashkëta për zhvillimin e vendit.