Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fatmir Gashi, ka dhënë dorëheqje nga ky post, pasi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është propozuar si kandidat për kryetar të Komunës së Pejës.
“Po unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësguvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës. Për këtë është vetëm një arsye se unë jam propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si kandidat për kryetar të komunës së Pejës në zgjedhjet lokale që do të mbahen sivjet”, ka thënë Gashi për Zërin.
Ai ka thënë se ligji i BQK-së nuk lejon që një zëvendësguvernator të jetë pjesë e një partie politike.
“Kjo ka qenë arsyeja e vetme e dorëheqjes sime nga BQK-ja”, ka shtuar ai.
Fatmir Gashi kishte ardhur në pozitën e zëvendësguvernatorit më 1 gusht të vitit 2013, pak kohë pasi që në krye të Bankës Qendrore të Kosovës kishte ardhur Bedri Hamza.