Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se nëse dikush dëshiron të rrëzojë Qeverinë, “le ta bëjë atë”, por që ai duhet të jetë i vetëdijshëm se do të paguante një çmim të lartë politik për këtë vendim.
Avazoviq ka thënë se lufta mes shumicës në qeveri dhe frontit demokrat ka nisur që nga formimi i Qeverisë.
“Për mua kjo nuk është kurrfarë situatë e jashtëzakonshme, mendoj se njerëzit janë tejet të ngarkuar, tejet të elektrizuar, së tepërmi merren me disa tabloide, të cilët në esencë s’do të duhej të kishin kurrfarë kuptimi. Personalisht nuk ndjej kurrfarë presioni. Nëse dikush mendon se ka ndonjë zgjidhje më të mirë, le të tregojë se cila është ajo”. ka thënë ai.
Zëvendëskryeministri më tutje ka thënë se nëse secila situatë do të shfrytëzohet që shteti të shtyhet drejtë një jo stabiliteti, ai është kundër kësaj.
“Nëse kolegë, edhe nga shumica parlamentare, nga opozita, nga vendet fqinje kanë ndonjë ide që mendojnë se është spektakulare, që është e mirë, le ta nxjerrin, dhe ta shohim cila është kjo zgjidhje. Thirrja ime është që të gjithë të relaksohemi”, ka vazhduar më tutje Abazoviq.
Mali i Zi është përfshirë nga një krizë qeveritare pasi një pjesë e shumicës qeverisësve së bashku me DSP-në dhe partitë tjera opozitare, kaluan rezolutën e Srebrenicës dhe pushuan nga pozita ministrin e Drejtësisë, Vladimir Leposaviq, për shkak të deklarimeve të tij mbi Srebrenicën.