Zëvendëskryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq pretendon se u zbulua një përvetësim i më shumë se një milion eurove në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Ai pretendon se këto janë abuzime me donacione të Bashkimit Evropian për sigurimin e furnizimit me pajisje për mbikëqyrjen e kufirit detar me Kroacinë dhe Shqipërinë.
Ai ka thënë se pret reagimin nga Prokuroria dhe se Delegacioni i BE është i njoftuar për gjithçka.
Siç tha ai, abuzimi u zbulua nga një Komision i posaçëm i Ministrisë së Brendshme, i cili u formua nga ministri i brendshëm, Sergej Sekulloviq, dhe merret me kontrolle të hollësishme të kontratave.
“Pajisjet e blera për ato para nuk kanë funksionuar për më shumë se një vit e gjysmë”, ka thënë Abazoviq.
Kur u pyet se kush është përgjegjës, dhe nëse është ish-ministri Mevludin Nuhoxhiq, Abazoviq tha se ata e dinë kush është përgjegjës dhe se kjo mund të shihet nga letrat.
Ai i bëri thirrje Prokurorisë që përgjegjësit t’i ndjekë penalisht./Insajderi.org.