Ishte i pari që e prezantonte në skenën politike. Mirëpo deri më sot, kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, s’e ka thënë asnjë fjalë për propozimin e Përparim Ramës për shkëmbimin e pronave dhe përçarjes me PDK’në në kryeqytet.
Abdixhiku në vend të kësaj, ka vendosur të flasë për strukturat politike në Klinë e Podujevë. Ai ka shpërndarë një postim në ‘Facebook’ ku ka shpërndarë aktivitetin e tij në këtë komunë.
“Sërish në Malishevë, sërish në Klinë. Sonte, dy takime tjera pune me strukturat udhëheqëse këtu. Përplot entuziazëm, unitet e përkushtim. Koha jonë po vjen”, ka shkruar ai.
Kryetari i LDK’së po e lë të vetëm kandidatin e tij londinez në përballje me presionin që po i bëhet. Abdixhiku s’e ka thënë asnjë fjalë as për kulmin e objektit komunal të Komunës së Prishtinës, as për të ashtuquajturën “riformatim” të strukturës udhëheqëse e as për këmbimin e pronave me një biznesmen.
Rama e ka mohuar kategorikisht se bëhet fjalë për përçarje përbrenda koalicionit. Megjithatë, ndryshe kanë thënë nga PDK’ja, ku Badovci është përmendur si arsyeja kryesore e përçarjes së të dy partive. /Insajderi.org/