Publiku dje i ka parë vetëm fotot e Lumir Abdixhikut e Përparim Ramës duke u krenuar për nisjen e projektit mbi 8 milionësh të ndërtimit të rrugës A. Por, nuk është vërejtur prezenca e një person jo të famshëm për publikun. Prania e tij aty zbërthen prapaskenën e dyshimtë të tenderit multimilionësh të Komunës së Prishtinës.
Dy fytyrat e reja të Lidhjës Demokratike të Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku dhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama, janë përfshirë në një veprim që llogaritet se ka qenë i parapëlqyet vetëm për ish-pushtetarët e PAN’it.
Abdixhiku e Rama kanë inauguar dje nisjen e projektit për ndërtimin e rrugës “Jim Xhema”, e njohur si rruga A. Projekti ka vlerën e afro 8 milionë euro e gjysmë. Dyshja sqaruar rëndësinë që ka projekti dhe potencuan vlerën e lartë të investimit publik.
Deri këtu gjithçka ishte në rregull.
Por, problemi qëndron diku tjetër. Te përfituesi i këtyre mjeteve. Tenderin në vlerë prej 8 milion e 497 mijë eurosh e ka përfituar në mënyrë të dyshimtë një kompani private nga Kaçaniku. Firma “Sallahu SH.P.K“. Pronari i kësaj kompanie është i dënuar për mashtrim me fonde publike. Ai e ka të ndaluar që të jetë konkurrent nëpër tenderë publik.
Por, ky fakt dje shihej që nuk po e shqetësonte Abdixhikun e Ramën.
Gazeta Insajderi ju sjell fotot ku shihet biznesmeni i dënuar për mashtrim gjatë inaugurimit të këtij projekti multimilionësh. Prania e tij nuk e pengonte as Abdixhikun e as Ramës, ndonëse dyshja nëpër fushata zgjedhore kanë premtuar qeverisje ndryshe nga ish-regjimi i PAN’it që kishte normalizuar shoqërimin me biznesmenë të dënuar për mashtrim me fonde publike.
Në fotot inaugurimit shihet kryetari i LDK-së Lumir, Abdixhiku dhe Naim Sallahu
Përparim Ramën e nervozon pyetja e gazetares së Insajderit
Ekipi i Gazetës Insajderi dje i bëri një pyetje kryetarit Rama. Ishte kjo: Si ndodhi që tenderi u fitua nga kompania e të dënuarit për mashtrim?
Kjo pyetje nuk i pëlqeu Ramës. Por, ai zbuloi diçka gjatë përgjigjes së tij. Rama ishte jashtëzakonisht i informuar për kalimin zyrtar të pronësisë nga vëllai i dënuar te ai i padënuar.
“Kjo nuk është e vërtetë se kompania është e dikujt tjetër dhe jo e atij personit. Në aspektin ligjor është e ligjshme nuk bëjmë asgjë të kundërligjshme ka tendenca të juaja apo të dikujt tjetër për ta njollosur na jemi duke i shkuar në mënyrë ligjore nga fillimi deri në fund“, tha Rama.
Si e kishte fituar tenderin kompania e të dënuarit për mashtrim?
Pronari i saj Naim Sallahu është i dënuar për mashtrim nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Në vitin 2018. Vendimi i Themelorës është vërtetuar edhe nga Apeli. Ai e ka të ndaluar që të marrë pjesë në prokurime publike për një periudhë 10 vjeçare. Deri më 20028.
Është hera e parë që e fiton një tender kaq të madh, i cili peshon afro 8 milionë euro e gjysmë, një biznesmen që e ka të ndaluar pjesëmarrjen në prokurime publike.
Përfitimin e këtij tenderi nga ky biznesmen nuk e ka parë si problematike Komuna e Prishtinës. Zyra komunale e prokurimit ka pohuar se firma tash është në emër të vëllait të tij të padënuar nga gjykata. Në emër të Lulzim Sallahut. Shfaqja e Naim Sallahut.
Por, verifikimet e bëra nga Gazeta Insajderi kanë treguar se vëllai i dënuar, Naimi, ende ka rol kyç në kompaninë e themeluar nga ai. Ligji i prokurimit nuk përcakton vetëm përjashtimin e firmave që i kanë pronarët e dënuar, por aty ceket se nuk duhet të jenë të dënuar as drejtorët e menaxherët e firmës private.
Kjo është kronologjia e këtij tenderi multimilionësh:
Komuna e Prishtinës me datë 24.02.2023 ka rekomanduar për dhënien me kontratë të Grupit të Operatorëve Ekonomik “SALLAHU” shpk dhe ALTIS CONSTRUCTION Ltd me vlerë prej 8,497,801.66 €.
Kjo kontratë ishte dhënë për ndërtimin e rrugës A.
AVONET gjatë hulumtimit të aktivitetit të prokurimit në Komunën e Prishtinës kishte identifikuar se Naim Sallahu, pronari i mëparshëm i “Sallahu” sh.p.k ka Aktgjykim të formës së prerë dhe është fajtor për kryerjen e veprës penale: falsifikim i dokumentit zyrtar.
Komuna e Prishtinës kishte mohuar këto akuza duke thënë se lajmet se është shpallur fitues i dënuari për mashtrim” është i tërësisht i pasaktë dhe i pavërtetë”.
“Komuna e Prishtinës si autoritet kontraktues ka kërkuar nga operatori ekonomik që në përputhje me nenin 65 të Ligjit në fuqi për Prokurimin Publik, të dorëzoj dëshminë nga gjykata kompetente se pronari dhe përfaqësuesi i saj nuk kanë qenë të dënuar për vepër penale në të paktën dhjetë (10) vitet e fundit. Rrjedhimisht “Sallahu” Sh.P.K. fillimisht përmes çertifikatës së biznesit dhe dokumenteve tjera nga ARBK ka dëshmuar se pronar dhe përfaqësues i saj është personi me inicialet “L.S.”, thuhej në reagim.
Sipas ligjit Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave”.
Arsyeja se pse ishte dënuar Naim Sallahu nga Gjykata e Prishtinës
Më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Naim Sallahut për veprën penale “Falsifikim i dokumentit”.
Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, ishte ngarkuar me veprën penale “Falsifikim të dokumentit”, pasi që thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.
Ai u dënua me gjashtë muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për falsifikim të dokumentit zyrtar.
Dënimi me burgim ndaj tij ishte zëvendësuar me pagesën e gjobës prej tre mijë euro.
Vendimi ishte marrë nga Themelorja më 30 mars 2018.