Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK’së, Lumir Abdixhiku, përsëriti kërkesën e tij që kryeministri aktual, Albin Kurti, t’i lejë ofendimet dhe t’i ballafaqojë idetë për qeverisje në një debat televiziv. Në një reagim me tone populiste, ftesa është refuzuar jo nga Kurti por nga zëdhënësi i tij, Përparim Kryeziu.
Kryeziu me anë të një reagimi në ‘Facebook’ ka shkruar kinse debati do duhej të bëhej në Kuvendin e Kosovës, kur kishte kërkuar Kurti më 2 dhjetor të 2024-ës dhe më 11 nëntor, shkruan Insajderi.
Madje, Kryeziu rikujtoi një fjali ku ofendonte mediat.
“Më 11 nëntor 2024 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në seancë plenare, Kryeministri Kurti ka prezantuar buxhetin 2025, në vlerë prej 3.6 miliardë euro, e që është 50% më i madh se buxheti 2021 që u trashëgua nga ish qeveria. Më 2 dhjetor 2024, me kërkesë të opozitës, Kryeministri Kurti ka raportuar në një seancë plenare gjithëditore për qeverisjen e tij gati katërvjeçare.
Në të dy prej këtyre seancave pati debat të gjatë por të dyja herët ka munguar deputeti Abdixhiku. E tash ai ka deklaruar se po don debat televiziv! Qartazi po i mungon popullariteti përveçse besimi e respekti qytetar. Natyrisht, sepse nuk blihet populli me reklama, edhe kur shitesh te oligarkët.
Kryeministri Kurti pat thënë hapur se preferon shtëpinë e popullit Kuvendin, e jo studiot televizive të oligarkëve“, deklaron Kryeziu. /Insajderi.org/