
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se partia e tij nuk do të hyjë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, pa asnjë kusht, shkruan Insajderi.
Ai tha se zotimet e dhëna gjatë fushatës janë të vlefshme edhe pas saj dhe ka shtuar se nuk ka asnjë arsye që të ndryshojë qëndrimin e tij.
“Ato zotime që i kemi dhënë gjatë fushatës, janë zotime të vlefshme edhe pas fushatës dhe nuk ka asnjë arsye që fjalët e dhëna gjatë fushatës tani unë t’i ndërroj. A bën një herë në Kosovë që të respektohet fushata”, tha ai në Klan Kosova.
Abdixhiku ka konfirmuar se LDK-ja nuk do të bëjë asnjë marrëveshje me Vetëvendosjen duke shtuar se nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjë bisedë me këtë parti.
Ai ka shpjeguar se vendimi është i lidhur me qëndrimet e tij dhe me dëshirat e qytetarëve, të cilët e kanë votuar me besimin se LDK-ja nuk do të bashkëpunonte me Vetëvendosjen.
“Kemi thënë para fushatës që s’do të bëjmë me Lëvizjen Vetëvendosje. Po e konfirmoj se nuk do të bëjmë me Lëvizjen Vetëvendosje, mbretëri me na dhënë, me thënë mbretëri e trashëguar prej sotit nuk e marrim me ta. Nuk flasim me ta, nuk diskutojmë me ta, s’diskutojmë me ta, s’kemi pasur diskutime me ta, nuk do të kemi takime me ta”.
Abdixhiku ka shtuar se çështja e presidentit është e paqartë dhe kjo është një pengesë për çdo marrëveshje pas zgjedhjeve.