
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë Kurti për ndarjen e ndihmave prej 100 euro në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes ekonomike.
Abdixhiku është shprehur se ‘Popullizmi varfëron!’.
Sipas tij mungesëa e politikave zhvillimore e investimeve të mëdha kapitale në vend, po i zëvendësojnë me popullizëm.
“Këtë herë nga 100 euro lëmoshë secilit – pa ndonjë kriter, pa ndonjë kategorizim. Kanë ose s’kanë përfituesit, nuk ka fare rëndësi, të gjithë do të marrin njëjtë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Abdixhku thotë se përveç se e padrejtë, kjo politikë sociale është edhe pa efekt.
“Në njërën anë 100 euro për vetëm një muaj, s’zbusin asgjë; në anën tjetër 100 milionë euro gjithsej janë para të humbura me një vendim. Nuk besoj se ka pasur, ka e do të ketë diku tjetër në botë ndonjë politikë kaq të madhe me kaq pak ndikim. Popullzimi këtë ka. Blenë paqe sociale duke ushqyer varfërinë”, shton ai.
Kreu i LDK-së ka thënë se “Albin Kurti sot dëshmoi përfundimisht se nuk ka ide e as njohuri për zhvillim. Beson se me intervenim një mujor, mund ta bëj të harrohet kriza e përballueshmërisë”.
“Me 100 euro s’blihet shtrenjtimi i rrymës për 100%. Me 100 euro s’blihen vizat e punës për 120 mijë kosovarë. Me 100 euro s’blihet inflacioni dyshifror që vazhdon edhe përtej këtij muaji të shënojë rritje rekord. Me 100 euro s’blihen pagat e ulëta në sektorin privat e publik pa dallim. Me 100 euro nuk blihet papunësia, nepotizmi, mungesa e investimeve e regresi shoqëror. Politika zhvillimore është art. Këtë art, eksperti – tani i komunikacionit rrugor dhe gjurmëve në asfalt – s’ka se si ta kuptojë”, ka shkruar ai.
Tutje ai ka deklaruar se kundërshton secilën politikë populliste.
“Edhe këtë të tanishmen dhe secilin propozim a masë të ngjashme të marrë deri më tani nga kushdo qoftë ai. Në qeverisjen time, masa të tilla të çastit e pa ndikim, s’do të kenë vend në asnjë vendim. Njerëzit në hall natyrisht se mirëpresin secilën ndihmë. Por duke i privuar ata nga projektet madhore e zhvillimore, në këmbim të lëmoshës së përkohshme, politikanët tregojnë jolidership”, deklaroi ai.
Mund dhe të merr kohë, por do ta kuptoni, se kjo lloj politike është tregtim i së ardhmes tuaj për një grusht mbështetje të përkohshme që s’zgjatë as edhe një muaj.