Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me doracakët për Edukatë Seksuale që janë përgatitur nga Ministria e Arsimit, duke dërguar një mesazh të fortë për ata që, sipas tij, po mundohen të ndikojnë në formimin e fëmijëve nëpër shkolla.
Nga Turneu i Ndryshimit në Shtime, Abdixhiku ka adresuar kritika për ata që, siç ka thënë ai, po përpiqen të “fusin duar tek familjet kosovare”.
Ai ka theksuar se LDK është kundër çdo forme të eksperimenteve sociale me fëmijët dhe ka bërë thirrje për respektimin e vlerave tradicionale të familjes kosovare.
“Ata që konsiderojnë eksperimente sociale me fëmijët tanë nëpër shkolla, e që promovojnë të pazakonshmen mes pasurisë sonë më të madhe kombëtare – vet familjes kosovare! Mbani duart larg FAMILJES! Mbani duart larg FËMIJËVE! LDK nuk ju lejon. LDK nuk ju toleron! Populli i Kosovës, nuk ju lejon!” tha Abdixhiku, duke e bërë të qartë që LDK është e angazhuar për mbrojtjen e familjes dhe fëmijëve nga çdo ndikim që ata e konsiderojnë të dëmshëm.